Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për rastin e pagesës së 11 milionë eurove për shpenzimet e rrymës në veri, një vendim që ishte miratuar në Kuvend më 6 maj të këtij viti.
Kuvendi kishte autorizuar KOSTT-in që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensoheshin “nga dividendë apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”.
Rasti ishte dërguar në Kushtetuese nga Blerta Deliu-Kodra e PDK-së dhe 12 deputetë tjerë.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se vlerësim në këtë rast ka qenë vetëm kushtetutshmëria e aktit të kontestuar të Kuvendit më 6 maj të këtij viti.
Ndonëse Kushtetuesja ka thënë se ai akt ka rezultuar në dallim të trajtimit të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër komunat në veri, ajo ka shtuar se ky dallim në trajtim ka një “justifikim objektiv dhe është i arsyeshëm” dhe rrjedhimisht nuk rezulton me diskriminim.
“Për pasojë, dhe përfundimisht, Gjykata konstatoi se nxjerrja e Aktit të kontestuar të Kuvendit ka rezultuar në dallim në trajtim të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, megjithatë, ky dallim në trajtim ka një “justifikim objektiv dhe të arsyeshëm” dhe rrjedhimisht, nuk rezulton në diskriminim, sepse (a) është i përcaktuar me ligj; (b) ka ndjekur një qëllim legjitim; dhe (c) është proporcional, dhe për pasojë, nuk është nxjerrë në papajtueshmëri me nenet 24 dhe 55 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.