Legjislacionit aktual për minierat, që është ai i pasluftës, i bëhen shumë vërejtje, madje deri në atë masë që në shumë raste paraqitet si pengesë për zhvillimin e sektorit minerar. Disa nga ligjet e legjislacionit për minierat bien ndesh njëri me tjetrin, kanë dallime të qenësishme rreth çështjeve të minierave e sidomos të hulumtimeve gjeologjike.
Mehmet GJATA
Legjislacionit aktual për minierat, që është ai i pasluftës, i bëhen shumë vërejtje nga njohës të këtij sektori, gjeolog, madje deri në atë masë që në shumë raste paraqitet si pengesë për zhvillimin e sektorit minerar. Disa nga ligjet e legjislacionit për minierat bien ndesh njëri me tjetrin, kanë dallime të qenësishme rreth çështjeve të minierave e sidomos të hulumtimeve gjeologjike.
Sidoqoftë, shtrohet edhe pyetja a është i kompletuar legjislacioni për minierat, apo a mungon ndonjë nga ligjet e nevojshme?
Në Republikën e Kosovës ligji primar apo bazik që rregullon sektorin minerar është Ligji Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet. Ky ligj ka hyrë në fuqi në vitin 2010. I njëjti në vitin 2013 është ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-158 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Minierat dhe Mineralet. Ligji Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet dhe Ligji Nr. 04/L-158 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Minierat dhe Mineralet janë bërë dhe miratuar për të rregulluar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin, licencimin, inspektimin dhe inkasimin e rentës minerare në minierat e licencuara në Republikën e Kosovës.
Po ashtu, sa i përket sigurisë në punë në veprimtarinë minerare, në vitin 2016 ka hyrë në fuqi Ligji nr. 05/L -062 për sigurinë në punë në veprimtarinë minerare, i cili rregullon aspektin e mbrojtjes në punë të punëtorëve të angazhuar në punë në veprimtari minerare.
Sipas Ramiz Krasniqit, drejtor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), sa i përket legjislacionit të minierave, Kosova gjendet në një nivel me stad të moderuar apo të kënaqshëm të legjislacionit. Por, siç thotë Krasniqi, duhet të theksohet se jo të gjitha ligjet që ndërlidhen apo ndër veprojnë me legjislacionin minerar janë të harmonizuar në mes vete, dhe në këtë aspekt mbetet të punohet ende. Në këtë kontekst. Krasniqi thotë se Ligji Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet ka nevojë të ndryshohet, plotësohet në raport me nevojat e sektorit minerar me qëllim të avancimit, lehtësimit dhe zhvillimit të sektorit minerar.
Dihet se plotësim ndryshimi i Ligjit për Miniera dhe Minerale, është si draft qe nga viti 2018, prandaj do të ishte mirë dhe do të duhej që sa me shpejt të kaloj në Kuvendin e Kosovës për aprovim, sepse krijon lehtësira për investime ne sektorin minerar në Republikën e Kosovës.
Ka 1 vjet e gjysmë që pres për licencë për hulumtime xehetare, thotë Mentor Demi, drejtor menaxhues në Ëestern Tethyan Resources, dega në Kosovë dhe në Evropën Juglindore. Kjo kompani që kaherë ka shprehur interesim për hulumtime xehetare në vendin tonë është e specializuar për hulumtimin e arit dhe bakrit. Demi e sheh problem të ndjeshëm në këtë fushë legjislacionin- ligjet sa janë dy-tre sosh, që bien ndesh me njëra tjetrën.
Ligji Themelor për Minierat dhe Mineralet ka kontradikta me Ligjin për Investime Strategjike dhe këto kontradikta bëjnë që kërkesat për licenca të zvarriten edhe me vite, thotë Demi për Buletinin Ekonomik.
“Në parim struktura ligjore për këtë sektor është e mirë, mirëpo problemi qëndron tek mosrespektimi i tyre si dhe te pengesat që ligjet i bëjnë njëra-tjetrës”, ka thënë Demi.
Një problem i ri që i është shtuar sektorit, sipas Demit, është Ligji për Investime Strategjike. Ani pse përmes këtij ligji mund të shmanget legjislacioni aktual dhe t’u hapet rrugë investimeve në këtë sektor, Demi thotë se ligji ka mangësitë e tij dhe si pasojë akoma asnjë investitor nuk ka mundur të kualifikohet si ‘strategjik’. Me këtë ligj, secilit investitor në sektorin minerar i kërkohet garancioni maksimal bankar prej 10 për qind të shumës totale të investimit, dhe i cili parashihet të negociohet me qeverinë.
“Kjo lë hapësirë edhe për manipulime”, vlerëson Demi, derisa shton se me të njëjtin ligj investitorëve do t’ju kërkohet që shuma minimale e investimit të jetë prej 30 milionë euro për 5 vite, e që sipas tij është kushtëzim i panevojshëm. Poashtu, s’është në rregull caktimi i taksës së tantiemës prej 5 për qind për shtetin pavarësisht rezultateve të hulumtimit. Këtë çështje e kanë fare mirë të zgjidhur Greqia, Bullgaria dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat taksën e tantiemës e përcaktojnë në bazë të çmimit të metalit, ka sqarua Demi. Këto kritere duket se kanë dekurajuar investitorët potencial.
Të dhënat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë tregojnë se deri më tani për t’u kualifikuar si investitor strategjik kanë aplikuar gjithsej 26 kompani. Prej tyre, nga sektori minerar janë vetëm katër sosh. Për shkak të mangësive është bërë para tre vjetësh plotësim ndryshim i Ligjit për Miniera dhe Minerale, por këto plotësime dhe ndryshime ende nuk janë miratuar. Plotësim ndryshimin e këtij Ligji , i cili është si draft qe nga viti 2018 e sheh si të domosdoshëm edhe Ramiz Krasniqi, kryetar i KPMM-së.
Sipas tij, sa me shpejt duhet të kaloi në Kuvendin e Kosovës për aprovim ky draft, sepse krijon lehtësira për investime në sektorin minerar në Republikën e Kosovës. Vonesa e madhe e zgjedhjes se Bordit te KPMM-së, pasi që nga 6 gushti i 2020-tës KPMM është pa Bord krijon ç’rregullime në sektorin minerar të Kosovës pasi që KPMM është i vetmi institucion qe i licencon ndërmarrjet qe merren me hulumtimin, shfrytëzimin dhe përpunimin e resurseve minerale, thotë kreu i KPMM-së.
Çështja e Bordit të KPMM-së ka gjasë të zgjidhet më në fund, pasi që ky Bord-zgjedhja e tij është në rend dite të seancave të radhës të Kuvendit të Kosovës.
Në vitet 2017-2020 kanë qenë ë 43 kompani të huaja që kanë nis të investojnë në Kosovë, mirëpo vetëm katër prej tyre kanë pasur licencë për shfrytëzim të resurseve minerare: “SharrCem” dhe “Ferronikeli”, të cilat shfrytëzojnë mineralet industriale si dhe kompanitë “A-Z group” dhe “Esha Materials”. Të gjitha kompanitë tjera (39) me vite kanë pritur në fazën e hulumtimit.
Ka edhe kompani që janë në Kosovë prej vitit 2008 duke kryer hulumtime, por pa mundësinë e sigurimit të lejeve dhe licencave për të shfrytëzuar (eksploatuar) pasuritë nëntokësore. Njëra ndër to është kompania “Peshter Mining JSC” me pronarë kanadezë dhe australianë, e cila deri më tani për hulumtim të plumbit, zinkut dhe argjendit thonë se kanë investuar 8 milionë euro.
Gjelogë me përvojë veçojnë një problem tjetër, që sipas tyre është ndër kryesorit. Është fjala për një një vendim të vitit 2008, të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave për shpalljen e zonave me interes të veçantë.
“11 zona prej atëherë kanë mbetur të bllokuara dhe si pasojë askush nuk ka mundur për të investua”, kanë thënë ata. Edhe Ramiz Krasniqi, drejtori i KPMM-së e sheh si problem jot ë vogël në proceset zhvillimore minerare, pra edhe në hulumtimet gjeologjike dhe ai kërkon që sa më shpejtë të lirohen ato zona. “11 zona të interesit te shpallura me një Vendim nga Qeveria në vitin 2008 duhet sa më shpejt të lirohen, ose t’u jepen ndërmarrjeve te fuqishme minerare për hulumtimin e tyre pemës Ligjit për investime strategjike”, ka thënë Krasniqi për Buletinin Ekonomik.
“Kur flasim për mosrespektim të ligjeve, kemi parasysh Ligjin për Zonat e Interesit në mënyrë specifike. Që nga viti 2007-2008, 11 zona prosperuese janë bllokuar përmes këtij ligji, dhe me qëllim që në mënyrë grupore ose individuale të shpallen në tender. Asnjë nga këto 11 zona, që nga viti 2007-2008, nuk është shpallur në tender”, ka thënë Demi.
Deri më tani, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka lëshuar rreth 200 e sa licenca për shfrytëzim të resurseve minerare, por pjesa më e madhe për gurthyes, 57 për hulumtim dhe 88 licenca për aktivitete të veçanta. Kur një investitor e merr licencën në KPMM, atij i duhet të pajiset me leje edhe nga Agjencia Pyjore e Kosovës. Këto dy ligje që i zbatojnë KPMM-ja dhe APK-ja kanë diskrepancë të madhe sa i përket sipërfaqes dhe kohëzgjatjes së lejeve që lëshojnë. Në bazë të Ligjit bazik për Miniera dhe Minerale, licencat e shfrytëzimit për mineralet energjetike mund të lëshohen për një periudhë prej 30 viteve me mundësi vazhdimi edhe për 15 vite tjera, kurse për të gjitha mineralet tjera kanë kohëzgjatje prej 25 vite dhe mund të vazhdohen edhe për një periudhë prej 25 viteve. Por, Agjencia Pyjore e Kosovës zbaton kritere tjera. Në bazë të një udhëzimi administrativ, ky institucion, ndryshe nga KPMM-ja, e ka kufizuar kohëzgjatjen e lejes në vetëm 5 vite. Po ashtu, investitorin e pajisë me leje për një sipërfaqe vetëm prej 5 hektarësh.
Sipas drejtorit të KPMM-së, Ramiz Krasniqi, kjo çështje është duke shkaktuar shumë probleme për investitorët, sepse siç thotë ai, nuk mund të zhvillohet një minierë në një sipërfaqe prej 5 hektarësh. “Shumë ndërmarrje janë detyruar të hapin biznes të ri vetëm për faktin se nuk ju lejohet sipërfaqja e një subjekti- ndërmarrje të jetë më e madhe se 5 hektar kur sipërfaqja menaxhohet nga APK-ja”, thotë ai. Çdo miniere i nevojitet minimumi 20 deri në 25 hektarë, dhe për këtë hapësirë bizneset duhet të paguajnë 40 mijë deri në 100 mijë euro në vit në formë të qirasë.