Lira turke zhvlerësohet sërish pas rënies në nivele rekord

Lira e Turqisë pësoi një rënie plot 4% të martën në tregjet e paqëndrueshme, pas rënies në nivelet më të ulëta të të gjitha kohërave një ditë më parë për shkak të shqetësimeve mbi politikën e rrezikshme ekonomike të Presidentit Tayyip Erdogan dhe të perspektivës për një ulje tjetër të normave të interesit këtë javë.

Kjo monedhë e dëmtuar shumë, e cila ka humbur pothuajse gjysmën e vlerës së saj kundrejt dollarit gjatë këtij viti, arriti nivelin e këmbimit prej 14.4 lira për dollar, përpara se kjo humbje e vlerës të zvogëlohej në 14.3450.

Të hënën, lira ra me 7%, duke prekur një rekord prej afro 15 lira për dollar, përpara se të kishte një përmirësim si rrjedhojë e ndërhyrjes së katërt në vetëm dy javë të bankës qendrore për të mbështetur monedhën vendase.

Reklama e sponzorizuar

“Po të shikojmë këmbimet e djeshme valutore, do të vëmë re një rritje të sasisë së tyre, ku dallohet një kërkesë e fortë për monedha të huaja nga vendasit,” tha një tregtar i këmbimeve valutore në një bankë.

“Shqetësimi se banka qendrore do të vazhdojë me uljen e normave të interesit po shkakton një pritshmëri për humbje të vazhdueshme të vlerës së lirës, ​​kështu që është e vështirë të bëhet një parashikim optimist për këtë monedhë.”

Problemet e brendshme vijnë në një kohë kur rrethanat në tregun global janë shqetësuese. Dollari është forcuar përpara një takimi të rëndësishëm të Rezervës Federale të mërkurën, pasi shumë investitorë shikojnë mundësinë që normat e interesit do të fillojnë të rriten në vitin 2022.

Rënia e lirës është nxitur nga ulja me 400 pikë bazë e normës së interesit nga Banka Qendrore Turke që nga muaji shtatori, një lehtësim monetar ky i cili mund të konsiderohet agresiv, i kryer nën presionin e Erdoganit.

Ndërkohë që të ardhurat e turqve kanë pësuar rënie të ndjeshme, Erdogan zhvilloi bisedime të hënën me Guvernatorin e Bankës Qendrore, Sahap Kavcioglu, me Ministrin e Financave, Nureddin Nebati dhe me krerët e bankave shtetërore, por nuk u bë asnjë njoftim zyrtar pas takimit.

Erdogan ka përkrahur vazhdimisht uljen e normave të interesit, ndërsa promovon një plan të ri ekonomik që i jep përparësi rritjes ekonomike, huadhënies, prodhimit dhe eksporteve, pavarësisht kritikave të gjera ndaj kësaj politike nga ekonomistët dhe politikanët e opozitës.

Me shitjet masive të lirës që po e shtrëngojnë buxhetin ekzistues i cili do të duhet të përballojë edhe një rritje të parashikuar të pagave dhe shpenzime të tjera të reja, qeveria pritet së shpejti të paraqesë në parlament një buxhet shtesë për vitin e ardhshëm, thanë dy zyrtarë.

Javën e kaluar, banka qendrore veproi në treg për të mbajtur lirën nën normën e këmbimit 14 lira për dollar, por e la këtë nivel të tejkalohej ditën e hënë. Zhvlerësimi i monedhës po nxit inflacionin në këtë ekonomi të madhe të tregut në zhvillim, e cila varet shumë nga importet.

Pavarësisht rritjes së inflacionit në 21.3% muajin e kaluar, banka pritet të ulë përsëri normën me 100 pikë bazë të enjten, sipas një sondazhi të Reuters.

Ndërhyrjet në tregun valutor janë një rrezik i shtuar për një bankë qendrore që jo vetëm po lehtëson politikën monetare, por gjithashtu po ezauron edhe rezervat e huaja valutore.

Tre tregtarë vlerësuan se banka qendrore shiti 2-2.5 miliardë dollarë në ndërhyrje në tregun valutor vetëm të hënën. Sipas llogaritjeve të bankierëve që analizojnë të dhënat zyrtare, shitjet me vlerë 2.5 miliardë dollarë u kryen në tre përpjekjet e para gjatë javës së kaluar. /Reuters/