Ndërmarrjet publike – Sektori me pagat më të larta në Kosovë

Pagat e punëtorëve në ndërmarrjet publike vazhdojnë të mbesin më të lartat nga të gjitha degët e sektorit publik në Kosovë.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), niveli i pagave më të larta në vend ishte pikërisht të ndërmarrjet publike, të cilat për një periudhë 7 vjeçare edhe u dyfishuan, përcjell Buletini Ekonomik.

Përderisa në vitin 2012, paga mesatare në ndërmarrjet publike sillej nga 518 euro, në vitin 2019 ajo u rrit për gjithsej 283 euro, duke bërë kështu që paga mesatare e këtyre punëtorëve në ndërmarrjet publike më 2019-n të bëhet 801 euro.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, paga mesatare në gjithë sektorin publik në vend, në vitin 2012 ishtë 407 euro, kurse në vitin 2019 shkoi në 584 euro, rritje kjo prej 177 euro për 7 vjet.

Për dallim nga sektori publik, ai privat vazhdon të mbetet ‘i varfër’ sa i përket pagave. Nga ASK-ja, sektori privat shquhet si sektori me pagën më të ulët mesatare bruto dhe përgjatë 7 vjetëve ka pasur një rritje shumë të vogël.

Ky sektor, në vitin 2012 kishte një pagë mesatare prej 367 eurove, derisa në vitin 2019 kishte një pagë mesatare prej 420 euro. Pra për 7 vjet, pagat në këtë sektor u rritën për vetëm 53 euro. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/