Drafti i Strategjisë Kombëtare për Energjinë e Kosovës 2022-2031, do të vendoset në konsultim publik nga ky muaj, pra janar 2022, ka njoftuar ministrja Artane Rizvanolli. ”Kjo strategji do të ketë objektiva mjaft ambicioze, drejt energjisë së pastër dhe drejt dekarbonizimit e do të përfshijë praktikat më të mira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Buletini Ekonomik
Ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli, në disa paraqitje publike me rastin e shpërfaqjes së sinjaleve të para të krizës energjetike te ne dhe me rastin e prezantimit kohë më parë të Strategjisë të Energjisë 2022-2031, ka njoftuar se drafti i Strategjisë Kombëtare për Energjinë e Kosovës do të vendoset në konsultim publik në janar të vitit 2022.
“Ne synojmë të kemi një draft të strategjisë për konsultim publik në janar të 2022, me objektiv finalizimin e saj në mars të vitit 2022”, ka thënë ajo.
“Është tejet me rëndësi, që ne të vazhdojmë që përgjatë procesit të hartimit të strategjisë kombëtare të energjisë të kemi të përfshirë të gjitha palët, ashtuqë strategjia të pasqyrojë vizion të përbashkët për të ardhmen energjetike të kosovës por edhe që të ketë përkrahje dhe të jetë e zbatueshme”, bëri të ditur ministrja Rizvanolli.
“Prandaj, ne kemi planifikuar që gjatë tërë procesit, shpejt, pa humbur kohë, të kemi konsultime me deputetët e Kuvendit të Kosovës, ekspertët, shoqërinë civile, partnerët tonë zhvillimor ndërkombëtar, e të tjerë”, tha ajo ndër të tjera.
Sipas Rizvanollit, strategjia dhjetëvjeçare do të ketë rol në tranzicionin energjetik për dekarbonizim dhe energji të pastër.
“Kjo strategji do të siguroj tranzicion energjetik për vendin tonë. Rruga që na udhëheq kjo strategji është dekarbonizimi. Po ashtu, ruajmë sigurinë energjetike, përballueshmërinë për konsumatorët, rritjen e energjisë së pastër dhe sigurojmë integrim rajonal të energjisë”, ka theksuar ajo.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke i bërë një vështrim Strategjisë së Energjisë, që Qeveria e tij do ta vë në diskutim publik brenda disa ditësh, ka thënë se Strategjia e Energjisë 2022-2031 pritet të ofrojë siguri të furnizimi si për amvisëritë dhe për bizneset.
“Gjatë 20-vjetëve të fundit sektori i energjisë në vend nuk ka pasur asnjë vendim në të mirë të qytetarëve bazuar në analiza, studime dhe të dhëna faktike. Në duhet të ofrojmë siguri të furnizimit si për amviseritë dhe për bizneset, në mënyrë që të kemi një zhvillim ekonomik e punësim në vend”, ka thënë Kurti gjatë prezantimit të Strategjisë Energjetike.
Sipas tij, kjo strategji do të promovojë bashkëpunimin rajonal.
“Strategjia e Energjisë 2022-2031 është e para në Kosovë që është duke u hartuar përmes proceseve demokratike e transparente e për këtë kemi marrë përsipër detyrën për identifikimin e planeve të veprimit në mënyrë që plani ynë të niset drejt dhe të divesifikoj miksin e energjisë. Do të ruaj sigurinë e furnizimit dhe do të promovoj bashkëpunimin rajonal, së pari me Shqipërinë e pastaj për vendet tjera. Kjo strategji do të ketë objektiva mjaftë ambicioze, drejt energjisë së pastër dhe drejt dekarbonizimit e do të përfshijë praktikat më të mira nga Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.
Në fund, Kurti tha se skemat mbështetëse që parashihen në këtë dokument, do të na ndihmojnë të ulim çmimet për zhvillimin e energjisë së pastër në vend.
“Skemat mbështetëse konkurruese janë vetëm një shembull i mjeteve që do të na ndihmoj të ulim çmimet për zhvillimin e energjisë së pastër. Kjo do të siguroj që energjia elektrike do të jetë e qasshme dhe e përballueshme për qytetarët tonë. Do të krijojmë mekanizma mbështetës për familjet me të ardhura të ulta apo të mesme të cilat do të përfshijë programe sikurse përdorimi i paneleve solare”, ka përfunduar Kurti.
Pjesë e hartimit të kësaj strategjie, përveç ekspertëve të fushës do të jenë edhe ata nga shoqëria civile. /Buletini Ekonomik/