Edhe çmimet e prodhimit në Kosovë kanë shënuar ngritje në tremujorin e tretë të këtij viti, duke shkuar kështu në 4.4% si indeks i tërësishëm i çmimeve, krahasuar me tremujorin e dytë 2021.
Ngritjen më të madhe të çmimit të prodhimit në këtë periudhë, sipas sektorëve ekonomik, e ka pësuar energjia elektrike dhe gazi, ku përqindja e rritjes së çmimit ka shkuar në 13.4%, pastaj prodhimi i mobilieve me 7.2%, prodhimi i metaleve 5.3%, prodhimi i pajisjeve elektrike 4.0%, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t 3.4%, prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse 2.9%, prodhimi produkteve të gomës dhe te plastikës 2.3%, prodhimi i produkteve minerale jo-metalike 1.1%, nxjerrja e xehes së metalit 0.7%, përpunimi i produkteve ushqimore 0.7% dhe prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve shënoi ngritje prej 0.3%.
Agjencia e Statistikave të Kosovės (ASK) në raportin e publikuar për “Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e tretë (TM3) 2021”, konstaton se ngritja e çmimeve të prodhimit në këta sektorë për këta dy tremujor (2021), u neutralizua kryesisht me rënien e çmimeve te prodhimi i mjeteve motorike të transportit, rimorkiove dhe giysmë-rimorkiove me -2.1%, te prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj me -1.2%, prodhimi i pijeve 0.6% dhe xeheroret e guroret e tjera me rënie prej -0.4%.
Ndërkaq, nëse e krahasojmë periudhën e tremujorit të tretë 2021 me tremujorin e tretë të vitit 2020, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare më të lartë prej 6.9%, ku ngritjen më të madhe sipas degëve të veprimtarive ekonomike e pati sërish energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me një përqindje prej 17.0%, përcjell Buletini Ekonomik.
Tutje, prodhimi i metaleve këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, pati ngritje me 12.1%, prodhimi i mobilieve me 9.0%, prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve me 4.7%, prodhimi produkteve te gomës dhe të plastikës 4.7%, nxjerrja e xehes së metalit 4.2%, prodhimi i pajisjeve elektrike 4.1%, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t 3.7%, prodhimi i produkteve minerale jo-metalike 2.6%, prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të gërshetuara – thurëse 2.5%, përpunimi i produkteve ushqimore 1.3%, grumbulimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë 0.7%, prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj 0.4%, dhe prodhimi produkteve kimike 0.3%.
Ngritja këtë vit në raport me vitin e kaluar, nga ASK-ja thonë se u neutralizua nga rënia e çmimeve te: prodhimi i lekurës dhe produkteve prej saj me -3.3%, xeheroret dhe guroret e tjera me -0.8%, prodhimi i pijeve -0.2%, dhe prodhimi i mjeteve motorike të transportit, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove me -0.1%. (M. Shabani) /Buletini Ekonomik/