Norma natyrore e interesit në Shqipëri ka pësuar një rënie të ndjeshme pas krizës financiare të vitit 2008.
Një studim nga dy specialistë të Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Eglent Kika dhe Olti Mitre, ka vlerësuar trajektoren e normës natyrore të interesit në ekonominë shqiptare që nga viti 2001 deri në vitin 2017. Për qëllime të studimit në fjalë, norma natyrore e interesit është identifikuar si norma afatmesme e interesit me të cilën ekonomia operon në nivelet e saj potenciale të rritjes dhe inflacioni arrin objektivin e përcaktuar nga autoriteti monetar.
Rezultatet e studimit kanë treguar se deri në vitin 2008, norma natyrore e interesit ishte në terma mesatarë pranë nivelit 2.8%. Norma natyrore e interesit arrin maksimumin e saj gjatë tremujorit të fundit të vitit 2007 dhe tremujorit të parë të vitit 2008, rreth nivelit 3.6%, sipas modelit bazë të vlerësimit. Pas këtij momenti, norma natyrore e interesit është ngadalësuar, për shkak të rritjes më të ngadaltë ekonomike.
Për periudhën pas vitit 2008, norma natyrore e interesit ka pësuar një rënie të ndjeshme dhe në terma mesatarë qëndron pranë nivelit 1.2%. Nivelet minimale të normës natyrore të interesit janë arritur në tremujorin e fundit të 2014, pranë nivelit 0.4% sipas modelit bazë të vlerësimit. Në periudhën e mëvonshme, përmirësimi i rritjes ekonomike, që vlerësohet të ketë filluar nga viti 2015, ka sjellë një rritje të lehtë në normën natyrore të interesit.
Norma natyrore e interesit është një pikë referimi e rëndësishme identifikimin e qëndrimit neutral të politikës monetare. Koncepti i normës natyrore të interesit u përmend për herë të parë në fund të shekullit të XIX nga ekonomisti suedez Knut Wicksell, i cili e përkufizoi si nivelin ku norma e interesit për kreditë është neutrale në raport me çmimet e mallrave dhe nuk tenton as t’i rrisë e as t’i ulë ato.
Duke mos ushtruar presione inflacioniste apo deflacioniste mbi çmimet, Wicksell besonte se norma natyrore interesi përcaktohet nga normat e interesit të investimeve kapitale në sektorin real të ekonomisë. Më tej, ai e detajonte normën normale apo natyrore si norma e interesit me të cilën kërkesa për kapital huadhënës dhe oferta e kursimeve përputhen dhe kjo korrespondon me yield-et e pritshme për kapitalin e ri, reale, të krijuar në ekonomi.
Më vonë, Keynes e përcaktoi normën natyrore ose neutrale të interesit si ajo normë në të cilën ekonomia do të operonte në nivelet e rritjes potenciale dhe të punësimit të plotë. Përkufizimi modern i normës natyrore të interesit bazohet pikërisht në formulimin e Keyenes dhe me normë natyrore interesi kuptohet zakonisht ajo normë interesi me të cilën prodhimi dhe punësimi arrijnë nivelin më të lartë, pa shkaktuar rritje të inflacionit. Megjithëse norma natyrore e interesit është një tregues që nuk mund të matet në mënyrë direkte, në vite ekspertët kanë ndërtuar modele të ndryshme ekonomike për të vlerësuar nivelet e përafërta të saj.