Organizata Riverwatch me letër publike për ministrin Aliu në lidhje me hidrocentralet

Organizata Riverwatch, që kishte kontraktuar ekspertin e jashtëm për të bërë ekspertizën në lidhje me Zallin e Rupës në Deçan, ka reaguar ndaj Ministrit Aliu pasi i njejti në një intervistë në programin Rubikon të Klan Kosova kishte ‘prezantuar rolin e kësaj organizate në proces në mënyrë të shtrembër’ dhe kishte ‘sulmuar verbalisht aktivisten Shpresa Loshaj’.

Në intervistën në Rubikon, Ministri Liburn Aliu kishte thënë se ekspertiza për Zallin e Rupës është bërë nga organizata Riverwatch, dhe kjo është kundërshtuar nga organizata në letrën e tyre publike.

‘Nuk është ashtu. Në fakt, raporti vjen nga Kelkos. Sikurse kemi sqaruar në komunikatën tonë për media, ne vetëm kemi rekomanduar ekspertin ndërsa i njejti është kontraktuar, paguar dhe këshilluar nga Kelkos’, kanë thënë Riverwatch në sqarimin e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Ata kanë thënë se dokumenti i përgatitur për Zallin e Rupës duhet diskutuar dhe konsultuar me komunitetin lokal dhe personat e ndikuar dhe se gjatë këtij procesi, nëse ka nevojë, kërkesat duhen përfshirë në planin final të restaurimit.

Riverwatch ka sjellë një numër rekomandimesh për Ministrin Aliu, të cilat i kishin bërë edhe më 23 nëntor. Ata kanë thënë se duhen identifikuar aspektet kryesore ekologjike dhe sociale që kërkojnë zgjidhje, duke përfshirë rrjedhën ekologjike, shtigjet e peshqëve, masat e kompensimit dhe furnizimin me ujë.

Ndër tjerash, në letrën e tij Ulrich Eichelmann nga Riverwatch ka këshilluar edhe kontraktimin e ekspertëve të pavarur për të zhvilluar këto koncepte për zgjidhjen e këtyre problemeve si dhe të bëhet konsultimi edhe me komunitete locale dhe personat e ndikuar para finalizimit të raporteve.

‘Në të vertetë, ka edhe zona tjera në Kosovë që kanë nevojë për vëmendje, sikurse zona afër Shtërpces. Kosova po përballet me një cunami të digave të digave me pasoja të rënda ekologjike dhe sociale. Kemi dëshmi për rreth 97 projekte hidroenergjetike që janë në plan ose duke u ndërtuar në Kosovë’, kanë thënë në letrën e tyre Riverwatch, ndërsa kanë sugjeruar mbajtjen e një ‘Samiti për Lumenjtë në Kosovë’ në fillim të vitit 2022, me përfaqësues të të gjitha palëve të interesuara.

Në letrën e tij, Eichelmann ka ripërsëritur vullnetin e Riverwatch për të përkrahur procesin, por kanë tërhequr vërejtjen se kjo mund të bëhet vetëm nëse merren parasysh propozimet e tyre.

Së fundmi, Riverwatch ka lëvduar punën e aktivistëve, Pishtarëve dhe Shpresa Loshajt, pa kontributin e të cilëve problemet dhe ankesat për luginën e Lumbardhit nuk do të ishin spikatur.

‘Ne kemi nevojë për njerëz të guximshëm sikurse ajo për të bërë ndryshime positive. Prandaj, ne në Riverwatch shpresojmë të vazhdojmë bashkëpunimin me këto grupe në të ardhmen’, thuhet në fundin e letrës, të cilën të plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.