Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publikë në Kosovë nuk mjafton, nëse nuk dihet prejardhja e kësaj pasurie, thonë juristë dhe njohës të çështjeve juridike.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 10 dhjetor, ka miratuar projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë, i cili kërkon edhe nga mjekët e licencuar dhe profesorët universitarë ta bëjnë deklarimin e pasurisë.
Me ligjin e deritashëm, vetëm drejtorët e klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë.
Masa e re është mirëpritur nga profesorët, nga Oda e Mjekëve të Kosovës dhe nga Asociacioni i të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.
Hasan Preteni, ish-drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë, e cila merret me çështjen e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve shtetërorë, thotë se nuk mjafton vetëm deklarimi i pasurisë. Sipas tij, duhet të hetohet edhe prejardhja e saj.
“Çdo zyrtar, që e ka deklaruar pasurinë, duhet të ketë mbulesë për atë pasuri. Duhet të rregullohet me ligj, që në qoftë se nuk ka mbulesë se si është siguruar ajo pasuri, e njëjta të konfiskohet. Nuk fitojmë asgjë me rritjen e numrit të zyrtarëve që deklarojnë pasurinë, në qoftë se nuk lëvizim rreth vërtetësisë së prejardhjes së pasurisë”, thotë Preteni për Radion Evropa e Lirë.
Kosova nuk ka ende ligj për verifikimin prejardhjes së pasurisë.
Sipas Pretenit, “futja në një thes” e të gjithëve zyrtarëve është një përgjithësim i panevojshëm, që nuk do të sjellë asgjë.
Preteni thotë se duhet të bëhet një vlerësim i projektligjit, ndërsa pasurinë, sipas tij, duhet ta deklarojnë vetëm ata që vendosin se si shpenzohet paraja publike.
“Në qoftë se mjeku e ka një pagë, të njëjtën edhe e deklaron. Të mos presim që do ta deklarojë edhe pjesën që e merr në ordinanca private, sepse qëllimi i ligjit është kujdesi për paranë publike. Paraja që merret nga buxheti i shtetit”, thotë Preteni.
Ish-kryetari i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë propozon që pjesë e deklarimit të pasurisë të jenë zyrtarët e lartë shtetërorë, që menaxhojnë me paranë publike, e që deri më tash nuk janë futur ende në këtë proces.
Ai përmend edhe zyrtarët policorë, zyrtarët e lartë të Administratës Tatimore të Kosovës dhe ata të Doganës.
Deklarimi i pasurisë nga mjekët dhe profesorët është përmendur para më shumë se një viti nga drejtori i tanishëm i Agjencisë kosovare Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.
Në një raportim të tijin para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit të Kosovës, Havolli ka thënë se me ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsionit do të përfshihet edhe deklarimi i pasurisë së mbi 1,000 zyrtarëve policorë, si dhe mjekëve e profesorëve.
Mirëpo, projektligji i miratuar nga Qeveria e Kosovës më 10 dhjetor nuk i përfshin zyrtarët policorë.
Sipas ligjit aktual, drejtorët e departamenteve në Policinë e Kosovës e bëjnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, por jo edhe zyrtarët e tjerë policorë.
Kush duhet ta deklarojë pasurinë?
Zëvendësministri i Drejtësisë i Kosovës, Blerim Sallahu, ka prezantuar para kabinetit qeveritar projektligjin për deklarim të pasurisë dhe ka njoftuar për ndryshimet që janë bërë, duke shtuar edhe mjekët dhe profesorët universitarë në listën e zyrtarëve që duhet ta deklarojnë pasurinë.
“Është bërë një kategorizim i ri i zyrtarëve publikë që do ta deklarojnë pasurinë, e që përfshijnë zyrtarë të lartë dhe zyrtarë publikë, si dhe kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë. Në kategorinë e zyrtarëve publikë, si subjekte deklaruese janë shtuar mjekët e licencuar që ushtrojnë veprimtari në institucionet publike, si dhe profesorët e universiteteve publike”, ka thënë Sallahu.
Sipas tij, projektligji mundëson deklarimin e pasurisë online, me qëllim që të evitohet çdo gabim potencial dhe të kontribuohet në rritjen e transparencës.
Të dhënat e regjistruara në këtë data-bazë, ka thënë Sallahu, do të jenë lehtësisht të transferueshme edhe në regjistrat e institucioneve tjera të zbatimit të ligjit, për qëllime të hetimit penal apo edhe administrativ.
Avokati Florim Shefqeti vlerëson se nuk është e nevojshme që mjekët dhe profesorët ta deklarojnë pasurinë.
“Cilësia dhe performanca e mjekëve dhe profesorëve, por edhe llogaridhënia duhet të rriten përmes mekanizmave konkretë, të kontrollit të vijueshmërisë, të kontrollit të kompetencës dhe profesionalizmit të tyre, të vlerësimeve periodike të mundshme, por assesi përmes deklarimit të pasurisë, sepse janë dy gjëra tërësisht të kundërta”, thotë Shefqeti për Radion Evropa e Lirë.
Përmes këtij veprimi, shton ai, mund të cenohet privatësia e tyre dhe njëkohësisht të vihet në rrezik potencial siguria e tyre.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë mjekët duhet ta bëjnë deklarimin e pasurisë, pa dallim.
“Mjekët [me ligjin e deritashëm] diferencohen, ata të mjekësisë sekondare dhe terciare ta deklarojnë pasurinë, kurse ata të primares jo. Është një pabarazi dhe një diskriminim bazuar në Kushtetutë. Nuk duhet të bëhen diferenca të këtyre niveleve, por të gjithë ata që marrin pagë, ta deklarojnë pasurinë. Nuk ka asgjë të keqe”, thotë Sejdiu.
Besim Kodra, nga Asociacioni i të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, thotë se mjekët duhet ta deklarojnë pasurinë, sepse, sipas tij, stafi shëndetësor ka kompetenca publike, pasi merret me pacientë.
Puna në dy sektorë – privat dhe publik – shumë herë e ka çuar stafin shëndetësor në veprime korruptive, të cilat kanë qenë në dëm të qytetarëve, thotë Kodra.
“Të gjitha këto veprime, deri më tani, kanë shkuar në dëm të pacientëve. Është abuzuar me pacientë, duke i referuar në [ordinanca] private, duke përfituar nga kompanitë farmaceutike. Unë konsideroj se stafi shëndetësor nuk ka nevojë të jetë i shantazhuar nga veprimet e Qeverisë, për shkak se unë nuk mendoj se duhet të ketë diçka për të fshehur”, thotë Kodra.
Profesori universitar, Shukri Klinaku, pajtohet me deklarimin e pasurisë, por, siç shprehet, kjo nuk është forma më e mirë e luftimit të korrupsionit.
“Unë, në parim, nuk jam kundër. Jam që të gjithë, jo vetëm profesorët e mjekët, por të gjithë… nuk hezitoj ta deklaroj pasurinë në çdo moment. Por, jam kundër kësaj që ‘hajde të fusim në ligj monitorimin e profesorëve dhe mjekëve’. Unë mendoj se kjo nuk i kontribuon luftës kundër korrupsionit”, thotë Klinaku, ligjërues në Departamentin e Fizikës në Universitetin e Prishtinës.
Asnjë i dënuar me burgim për mosdeklarim të pasurisë
Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.
Deri më tash, duke mos përfshirë mjekët dhe profesorët, deklarimin e pasurisë në Kosovë e kanë bërë rreth 5 mijë zyrtarë publikë, nisur nga presidentja, kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave e deri te mijëra zyrtarë të tjerë që kanë pozita udhëheqëse.
Pas përfundimit të procesit të deklarimit të pasurisë, Agjencia Kundër Korrupsionit, përmes shortit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.
Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri dhe pastaj në baza vjetore.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë Kundër Korrupsion, gjatë vitit 2020, 98 për qind e zyrtarëve të lartë publikë e kanë deklaruar pasurinë.
Edhe këtë vit, përqindja është gati e njëjtë. Nga rreth 5 mijë zyrtarë publikë, mbi 4,700 e kanë deklaruar pasurinë.
Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.
Deri më tash, asnjë nga zyrtarët që nuk e ka deklaruar pasurinë, nuk është dënuar me burg.