Pas miratimit të buxhetit për vitin 2022, Kurti: Krijimi i vendeve të reja të punës prioritet i koduar në buxhet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët që votuan buxhetin e propozuar nga Qeveria e Kosovës për vitin 2022.

Kurti ka thënë se “ky do të jetë buxhet i zhvillimit sepse me 40 milionë euro do të mbështesim prodhuesit vendorë, me 40 milionë euro tjera do të mbështesim ringritjen e ndërmarrjeve publike si Trepça e Telekomi, 70 milionë euro për bujqësinë, kurse për punësimin e garantuar për të rinjtë kemi ndarë edhe 20 milionë euro”.

“Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar edhe në këtë buxhet”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

Reklama e sponzorizuar

“Ky do të jetë buxhet i mirëqenies dhe solidaritetit sepse kemi ndarë 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë, sepse kemi ndarë edhe 35 milionë euro për t’u siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro, dhe secilës familje në asistencë sociale shtesa prej 30% i bëhet e përhershme”.

“Ky është buxhet i investimeve sepse me mbi 700 milionë euro do të investojmë në arsim e shëndetësi, kulturë e sport, infrastrukturë e siguri”, ka shkruar ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar sot në shqyrtim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2022.

Me 65 vota pro Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin prej 2.7 miliardë eurosh.

Asnjë nga deputetët nuk ka votuar kundër, derisa kishte vetëm një abstenim.