Në një raport të vitit 2019 të Bankës Botërore thuhej saktësisht se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë. “Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kancer) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, kanë konstatuar mjekët vendas. Ky është çmimi i vërtetë, ai reali, që paguajnë kosovarët për energjinë elektrike. Të gjitha orvatjet e tjera për ngritjen e çmimit të rrymës janë farsë dhe gënjeshtra.
Mehmet GJATA
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë po del sheshit se nuk është e lirë dhe e pavarur, ashtu siç do të duhej dhe siç e përcaktojnë normat dhe rregullativa ligjore. Në fakt, pavarësia e diskutueshme e këtij institucioni është shpërfaqur, sidomos këtyre ditëve, kur po vërdalloset kriza energjetike gjithandej nëpër botë dhe kur po i shfaqë sinjalet e para të themi, edhe te ne.
Madje, ZRRE po duket sheshit se është e tejvarur, më shumë se e varur pra, çuditërisht edhe nga politika edhe nga distributori agresiv dhe monoton në kërkesat e pareshtura dhe të paturpshme për të ngritur çmimin e rrymës. ZRRE pavarësinë që do të duhej ta ketë të garantuar ligjësisht e ka zbehur, për të mos thënë e ka humbur tani tërësisht, nga presioni i politikës dhe i kompanisë së distribuimit të rrymës, që është KEDS-i turk, i ardhur me pompë të madhe këtu, me premtime kolosale për investime në modernizimin e rrjetit dhe për furnizim të rregulltë të konsumatorëve kosovarë të rrymës, pas privatizimit të tërësishëm të kësaj ndërmarrjeje kosovare me një çmim thuaja simbolik, prej 26,3 milionë milionë eurosh.
Presioni i KEDS-it karshi ZRRE-së me kërkesa të përditshme për ta shtrenjtuar çmimin e energjisë elektrike ka filluar që në ditët e para të tetorit. Këto kërkesa, të pamata numerikisht, por shumë agresive dhe alarmuese se gjoja kriza e madhe energjetike që ka kapluar botën, tashmë jo vetëm po troket në dyert e Kosovës, por ajo ka përfshirë gjithë vendin tonë dhe broçkulla të pareshtura të tjera alarmuese, se Kosova po importon energji elektrike me çmim të pesëfishuar e më shumë dhe se për importin e energjisë vetëm brenda një muaji janë dhënë me dhjetëra miliona euro, me gjasë ndikuan edhe tek mendja e politikanëve tanë, madje te krerët qeveritarë.
Nga presioni i KEDS-it u mëdysh fillimisht dhe u dorëzua më në fund edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa ministrja Artane Rizvanolli më herët, në disa raste, e kishte dëshmuar lojalitetin absurd kundrejt kërkesave të KEDS-it, duke paralajmëruar ardhjen e ngritjes së domosdoshme të çmimeve të rrymës.
“Çmimet e energjisë elektrike në bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as tek ne një situatë e favorshme, përderisa vazhdojmë të paguajmë vetëm 7 cent për kilovat/orë. Pra, është e vërtetë që po blejmë shtrenjtë dhe po shesim lirë energji elektrike dhe pa një afat të caktuar”, ka thënë Kurti në një nga mbledhjet e fundit të Qeverisë, duke u bë palë në anën e KEDS-it për çmime të reja të ngritura të energjisë elektrike.
Kryeministri Kurti edhe në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës tha se “aktualisht konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është shumë i madh por se edhe çmimi i energjisë është më i liri në rajon”. Ndërsa, të mërkurën (më 15 janar) kryeministri i mori përsipër pagesat për importin e energjisë elektrike të nevojshme për Kosovën.
Ndërsa ministrja Artane Rizvanolli, nuk prajti thuaja, në paraqitjet e saja publike për të propaganduar ngritjen si të domosdoshme të rrymës për kosovarët. Ministrja e Ekonomisë, pra në shumë raste është deklaruar pak a shumë, kësisoj; ”Mjetet e parapara për import të rrymës për tërë vitin u shpenzuan për dy muaj’. Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milionë për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milionë euro për import etj.”, duke alarmuar situatën njëlloj si KEDS-si, dhe duke përkrahur tashmë drejtpërdrejt dhe pa rrotulla kërkesën për çmime të ngritura të rrymës.
Edhe shpërndarja e një manuali i cili kërkon nga qytetarët që ta kursejnë energjinë elektrike, në këto ditë dimri, në njëfarë mënyre është një lloj presioni te qytetarët duke alarmuar ata për mungesa të rrymës, thuaja se ajo dhe të gjithë ministrat e tjerë paraprak dhe qeveritë pararendëse kanë krijuar alternativë të bollshme për ngrohje të kosovarëve.
Dhe nga ky presion, më në fund u gjunjëzua Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), e cila kushtimisht dhe nga presioni i paparë ka miratuar këto ditë kërkesën e KEDS-it rreth shqyrtimit të jashtëzankonshëm të tarifave të energjisë, përkundër deklaratave të shumta se nuk do të ketë ngitje çmimi të rrymës deri në prill të vitit 2022. Nga ky miratim, do të hapet mundësia për rritje të tarifave të energjisë elektrike edhe para përfundimit të këtij viti, transmetojnë mediat e Kosovës.
Në një njoftim për media nga ZRRE-ja, është thënë se ky miratim i shqyrtimit të tarifave për KEDS-in është bërë në mënyrë që të reflektohet në çmimet e ngritura të importit si pasojë e krizës globale të çmimeve të energjisë.
“ZRRE në bazë të mandatit të saj ligjor, ka vendosur të hapë procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm, dhe gjatë këtij procesi do të shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e efiçiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
Sipas ZRRE-së, muajve të fundit, përveç rritjes së çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike, vërehet edhe një rritje enorme e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë, që ka rezultuar në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit. Importi shtesë paraqet edhe kosto shtesë për operatorët, të cilët nuk janë parashikuar në të hyrat e lejuara maksimale për vitin relevant tarifor 2021.
Jo vetëm lexuesi i vëmendshëm do të vërejë lehtësisht sa të sinkronizuara dalin të jenë kërkesat e KEDS-it me përkrahjen e kryeministrit dhe të ministres Rizvanolli dhe teksti i miratimit të kërkesës së KEDS-it nga ZRRE-ja rreth shqyrtimit të jashtëzankonshëm të tarifave të energjisë.
Por, çuditërisht në të gjitha këto alarme sinkrone njëra me tjetrën, ka munguar çështja qenësore rreth çmimit të energjisë elektrike sot e këtu: kosovarët nuk e paguajnë lirë koston e energjisë elektrike, as më së liri në rajon. Përkundrazi. E paguajnë më së shtrenjti nga të gjitha vendet e rajonit po se po, e paguajnë me koston që nuk matet me para. Shëndeti i rrënuar i qindra mijëra kosovarëve rreth e qark teromocentraleve dhe minierave sipërfaqësore dhe sëmundjet kronike të qindra mijëra kosovarëve, të fituara nga ndotja e ambientit dhe degradimi i natyrës për të prodhuar energji elektrike, është çmimi që paguajnë kosovarët e që nuk kompenzohet dot, as nga importi i KEDS-it as nga Qeveria, as nga ZRRE-ja.
Besim Morina, një mjek pulmonolog që ka trajtuar shumë të sëmurë kronikë nga vendbanimet rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës ka thënë për mediat botërore se ata ishin diagnostikuar kryesisht me sëmundje pulmonare obstruktive kronike, të cilat vinin si pasojë e punës së tyre në termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
“Shumica e miqve të mi (në uzinë) kanë vdekur prej saj”, i ka thënë Reutersit, një ish-punëtor në kompleksin elektroenergjetik, i cili gjithashtu tani vuan edhe nga sëmundja e Parkinsonit. Dhe megjithëkëtë, zyrtarët kosovarë krekosen me tarifat më të lira të energjisë elektrike në Evropë.
Sipas ambientalistëve, kostoja aktuale është shumë më e lartë kur merren parasysh efektet në shëndetin publik të termocentraleve të vjetruara. Në një raport të vitit 2019 të Bankës Botërore thuhej saktësisht se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë.
“Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, kanë konstatuar mjekët vendas.
Sipas të dhënave të Balkan Green Foundation, “njerëzit që jetojnë në zona të kontaminuara (lexo: njerëzit që jetojnë rreth e çark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës) humbasin rreth pesë vjet jetë për shkak të ndotjes së ajrit”. Ky është çmimi i vërtetë, ai reali, që paguajnë kosovarët për energjinë elektrike. Prandaj, propaganda agresive e këtyre ditëve, e bërë në favor të shtrenjtimit të çmimit të rrymës, është farsë, është genjeshtër e madhe, është ngulmim për t’i varfëruar edhe më tej këta njerëz të varfër, është papërgjegjësi e skajshme e propaganduesve për çmime të reja të ngritura të rrymës në Kosovë.
Papërgjegjësi e skajshme është edhe mospërmbushja e premtimeve nga distributori për të siguruar energji elektrike të mjaftueshme për konsumatorët kosovarë. Pas gati një dekade prej kur u privatizua distribucioni, ndodhë që rryma në qendër të Prishtinës të mungojë deri 11 orë. Kur u ble distribucioni për 26,3 milionë euro dhe kur pa vonuar blerësi arkëtoi 143 milionë euro fitim neto, asnjëherë nuk u “bombardua” kosovari me propagandën agresive se “Kosova dje importoi megavatin e energjisë elektrike 325 euro”, ose “5 herë më shtrenjtë se në vitin paraprak”.
Përkundrazi, KEDS-i lutej të zgjatet “parajsa” kosovare e fitimeve. Papërgjegjësi është edhe heshtja, apo mosnjoftimi i konsumatorëve kosovarë për fatin e parave që Kosova, ose KEK-u fiton nga eksporti i rrymës gjatë periudhave kur Kosova ka teprica të bollshme për të eksportuar. Dhe ky eksport nuk është i vogël, as për t’u nënçmuar.
Sipas të dhënave të ASK-së, në tremujorin e tretë eksporti i energjisë elektrike nga Kosova ishte thuaja se i barabartë me importin në këtë periudhë. Këto janë fakte. Ato që po tenton t’i shpërfaqë agresivisht si fakte KEDS-i dhe zyrtarët kosovarë që po ia mbajnë ison KEDS-it, janë broçkulla. /Buletini Ekonomik/