Propozohet që qeset e plastikës të bëhen me pagesë

Po të prekeshin në xhep, kosovarët nuk do të përdornin kaq shumë qese plastike. Ky është edhe njëri nga propozimet e ambientalistëve, që këto qese të jenë me pagesë, në mënyrë që të mbrohet mjedisi, ashtu si në Maqedoninë e Veriut, ku një e tillë në market kushton rreth 25 centë.

Aktualisht, qytetarët vazhdojnë t’i marrin me shumicë edhe pse i dinë të metat e tyre, njofton Klan Kosova.

Ish-ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, thotë se për shkak të rënies së qeverisë më 2019, nuk arriti ta çojë deri në fund Udhëzimin Administrativ që kishte dy opsione.

Reklama e sponzorizuar

“Të ndalohet importi dhe dhënia pa pagesë e qeseve të plastikës ose të vendoset taksë për qeset e plastikës”, shpjegon ai.

Punën e lënë në gjysmë duhet ta vazhdojë qeveria aktuale, thonë në organizatën “Gjethi”. Këta propozojnë edhe alternativa tjera.

“Të përdoren qeset e tekstilit në vend të plastikës. Ose të ketë një vend për riciklim të tyre, pas përdorimit”, thotë Valon Raka.

Ministria e Mjedisit nuk i ktheu përgjigje televizionit nëse po punojnë në evitimin e përdorimit të qeseve të plastikës.

Por, kjo është një nga problemet kryesore globale, pasi vetëm një qeseje i duhen rreth një mijë vjet për t’u asgjësuar në natyrë.