Qeveria do t’ia ndajë KEK-ut 20 milionë euro për importe

Kabineti qeveritar i Kosovës

Qeveria do t’i ndajë KEK-ut 20 milionë euro likuiditet për të mbuluar një pjesë të importit të energjisë elektrike. Kështu bëri të ditur Kryeministri Albin Kurti në emisionin DESK të Kohavisionit, ku edhe konfirmoi se situate me energjinë është duke u përmirësuar.

“Në mbledhjen nesër do propozoj në qeveri që t’ia japim një likuiditet prej 20 milionë euro KEK-ut që ta mbulojë një pjesë të importit të energjisë. KEK-ut sepse është ai që jo qeveria drejtpërdrejt me KEDS-in e KESCO-n, por besojmë se më së miri është këtë ta bëjë KEK-u, për shkak se për ne KEK-u është emri i prodhuesit por edhe institucioni i energjisë në Kosovë”, ka thënë kryeministri.

Ndryshe, në konferencën e përbashkët për media të Kryeministrit Albin Kurti, Ministres Artane Rizvanolli dhe Kryeshefit ekzekutiv të KEK të datës 15 dhjetor, Kryeministri kishte konfirmuar se Kosova do të subvencionojë importin e energjisë elektrike.

Reklama e sponzorizuar

Vendimi për subvencionimin e importit ka ardhur pas rënies së prodhimit të rrymës dhe rritjes së madhe të importeve të energjisë elektrike me cmime marramendëse, të ndikuara nga cmimet e larta të këtij produkti në tregje ndërkombëtare.

‘Energjia e tregtuar për të mbuluar kërkesën në Kosovë, tani blehet me cmime aq të larta, deri në 7 herë në cmimin e shitjes më shtrenjtë, sa që ka rrezikuar aftësinë financiare të furnizuesit publik dhe të gjitha ndërmarrjeve të zinxhirit energjetik, për ta garantuar sigurinë e furnizimit’, ka thënë kryeministri Kurti në konferencën e mbajtur më 15 dhjetor, ndërsa ka sqaruar se devijimet ndërmjet kërkesës së brendshme dhe energjisë elektrike të siguruar për ta furnizuar qytetarin në Kosovë mbulohen nga KOSTT.