Qeveria e Republikës së Kosovës, në një mbledhje të mbajtur sonte në formë elektronike, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 20 milionë euro, për zbatimin e masës për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike.
“Vendimi i dytë është miratuar pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 3.7, të aprovuar në vendimin paraprak”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
“Qeveria ka ndarë mjete buxhetore në shumë prej 20 milionë euro, për zbatimin e masës për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike. Mjetet e ndara merren nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, nën-programi ‘Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike’ te kategoria e shpenzimeve ‘Subvencione dhe Transfere’. Këto mjete transferohen në Ministrinë e Ekonomisë, te kategoria e shpenzimeve ‘Subvencione dhe Transfere’, në nën programin ‘Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike’”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Ministria e Ekonomisë do të transferojë këto mjete te Ndërmarrja Publike KEK Sh.A. dhe shfrytëzimi i këtyre mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Korporatës Energjetike të Kosovës.