Ministria e Financave është në përfundim të një procesi reformues për tregun e arkave fiskale në Kosovë, përmes së cilës synohet krijimi i lehtësirave për bizneset, si në uljen e çmimit të pajisjeve fiskale, ashtu edhe në procedura.
Siç mëson Buletini Ekonomik, ky proces i reformimit përfshin ndryshime në dispozitat ligjore aktuale në fuqi dhe gjithashtu pritet që një pjesë të kostos së bizneseve me rastin e pajisjes me arkë fiskale, ta marrë përsipër vet ministria.
Buletini Ekonomik ka kontaktuar me njërën prej kompanive të licencuara në këtë treg, Service Global, e cila është kompania më e re në treg dhe e katërta e licencuar nga ATK-ja për shitjen dhe instalimin e pajisjeve elektronike fiskale.
Fidan Prokshi, menaxher në Service Global, ka shpjeguar se priten ndryshime në njërin prej Udhëzimeve Administrative, si në atë 02/20218, të cilat sipas Prokshit, veqse janë bërë dhe kanë kaluar të gjitha fazat e nevojshme ligjore, derisa tani pritet vetëm edhe nënshkrimi i vet ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Nga ndryshimet ligjore në këtë udhëzim, Abonimi vjetor për pajisje fiskale pritet të mbulohet nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) përmes një marrëveshjeje me Telekomin e Kosovës, ndërsa koston e kontrollës teknike pritet ta marrë përsipër vet Ministria e Financave, si dhe pritet të largohet edhe ndalesa për bllokimin e pajisjes fiskale me rastin e skadimit të abonimit njëvjeçar të biznesit me kompaninë përkatëse.
Përpos këtyre, me reformat e reja, Administrata Tatimore pritet që të ketë rol aktiv në mbikëqyrjen e çmimeve në treg, përkatësisht në parandalimin e abuzimit me çmime të arkave fiskale nga operatorët e licencuar.
Sipas informatave të ATK-së, marrë nga operatorët që i ka licencuar, kostoja e abonimit çdo 12 muaj kushton 41 euro me TVSH, kurse kontrolli i rregullt periodik që bëhet çdo 24 muaj kushton 87 euro me TVSH, shërbime këto që pas reformës, pritet t’i mbulojë Ministria e Financave.
Edhe nga kompania Service Global thonë se ata kanë qenë pro këtyre ndryshimeve, mirëpo theksojnë se kanë shfaqur edhe disa pakënqësi, për shkak se sipas tyre, disbalanca në treg mund të shkaktojë probleme te operatorët që kanë shtrirje më të vogël.
Në kuadër të ankesave, ata parashtruan edhe dyshimet e tyre në lidhje me mundësinë e përcaktimit të çmimit dhe bazën ligjore të tij, pasi kjo mund të interpretohet edhe si ndërhyrje në çmimin e lirë të tregut dhe dëmtim të konkurrencës.
Megjithatë, Service Global shprehet se janë pro çdo ndryshimi, i cili do të kontribuonte në plotësimin e kërkesave të operatorëve ekonomikë dhe tregut të arkave fiskale, në përgjithësi.
“Hapin e ministrisë e shohim si të rëndësishëm dhe që i kontriboun procesit. Duke pasur parasysh strukturën dhe fuqinë që kemi në treg kemi shfaqur disa pakënaqësi në lidhje me mënyrën dhe çmimin e ofruar. Ne besojmë që disbalanca në treg mund të shkaktojë probleme te Operatorët që kanë shtrirje të vogël. Poashtu, kemi shfaqur dyshimet tona në lidhje me mundësinë e përcaktimin të çmimit, procesin e këtij përcaktimi dhe bazës ligjore të tij. Kjo mund të interpretohet si ndërhyrje në çmimin e lirë të tregut dhe dëmtim të konkurrencës. Jemi pro çdo ndryshimi, i cili i kountribon plotësimit të kërkesave të OE-ve dhe tregut në përgjithësi”, ka thënë menaxheri i Service Global, Fidan Prokshi.
Prokshi ka shtuar tutje se kompania e tij, tashmë ka dalë në treg “me çmime të arsyeshme kur marrim parasysh cilësinë e pajisjeve dhe të shërbimeve”. Kështu, në Service Global, Arka S21 (apo arka mobile) kushton 219 euro, arka statike 270 euro, ndërsa printeri fiskal 435 euro pa TVSH. Ndërkohë, nëse përfshihet TVSH-ja, abonimi dhe garancioni njëvjeçar nga kjo kompani, atëherë të njëjtat kushtojnë si më poshtë: -Arka S21(arkë mobile) 285 euro, ajo statike (Arka M20) kushton 345 euro, dhe Printeri fiskal 540 euro. Ndërsa për sistemin fiskal të derivateve, çmimi i një pajisjeje të tillë elektronike në këtë kompani është 4 mijë e 71 euro me TVSH, ndërsa pa TVSH -3 mijë e 450 euro. TVSH-ja për këtë pajisje është 621 euro.
Në anën tjetër, në kompaninë tjetër që operon në Kosovë, “Enternet”, një arkë fiskale mobile kushton 239 euro+TVSH-ja, ajo statike kushton 299 euro+TVSH, kurse çmimi i printerit fiskal në këtë kompani, që deri në muajin nëntor kishte pasur monopol për këtë pajisje, është 452 euro+TVSH.
E dy kompanitë e tjera të licencuara nga ATK-ja për shitjen dhe servisimin e pajisjeve elektronike fiskale, si ‘Dukagjini’ dhe ‘Gekos’, nuk i kanë të qasshme për publikun çmimet e pajisjeve që ofrojnë. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/