Me qëllim të planifikimit dhe zhvillimit të politikave për promovimin e shfrytëzimit të veturave elektrike në Republikën e Kosovës, sot u zhvillua tryeza e diskutimit me temën “Transporti elektrik në Kosovë”, e organizuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Gjatë këtij takimi u diskutua me akterë relevantë të sektorit të makinave, njohës të fushës së transportit elektrik, si dhe shoqatën e importuesve të veturave elektrike në Kosovë. Në diskutim prezent ishte edhe Ministri Liburn Aliu.
Në tryezë u diskutuan modalitete të ndryshme për të lehtësuar përdorimin e veturave elektrike, vendosjen e stacioneve mbushëse si dhe masat e Qeverisë për inkurajimin e shfrytëzimit të këtyre veturave.
Ndër masat e rekomanduara gjatë tryezës janë largimi i TVSH-së, doganës dhe akcizës për veturat elektrike si dhe ulja e TVSH-së në 50% për veturat hibride.
Gjatë diskutimit është rekomanduar edhe largimi i taksës së regjistrimit të veturave elektrike dhe ulja prej 50% e kësaj takse për veturat hibride.