Rizvanolli: Plani i reduktimeve duhet të implementohet në mënyrë të barabartë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka reaguar pas raportimeve të shumta të qytetarëve se po kanë reduktime të energjisë elektrike më shumë sesa vetëm dy orët e paralajmëruara nga KOSTT dhe KESCO.

Rizvanolli tregoi se gjatë ditëve të fundit, Ministria e Ekonomisë ka pranuar me dhjetëra raportime nga qytetarët për reduktime të energjisë elektrike të cilat kanë zgjatur më shumë se dy orë, orar ky që është udhëzuar nga KOSTT duke u bazuar në legjislacionin në fuqi dhe për të cilin Ministria e Ekonomisë i ka kërkuar KESCO-s t’i mbajë të informuar me kohë të gjithë konsumatorët.

Sipas ministres, plani i reduktimeve i cili parasheh 8 orë furnizim me energji elektrike dhe 2 orë pa furnizim, duhet të implementohet në mënyrë të barabartë, si dhe barra duhet të shpërndahet në mënyrë të barabartë tek të gjithë konsumatorët. E nëse kjo nuk ndodhë, siç edhe tregojnë raportimet nga tereni, atëherë Rizvanolli thotë se Ministria e Ekonomisë është e obliguar që të marrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në kompetencat e saj.

Reklama e sponzorizuar

“Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar disa ankesa që reduktimet e energjisë elektrike në disa zona kanë zgjatur deri në 20 orë. Për këtë arsye, dje i kam ftuar në takim urgjent përfaqësuesit e të gjitha institucioneve relevante: KEDS, KESCO, KOSTT dhe ZRrE. Gjatë takimit kam kërkuar nga ta informatat dhe arsyet për reduktimet jashtë orarit të paralajmëruar, si dhe kam kërkuar nga KEDS që (me ndihmën e KOSTT) të sigurohen që orari të respektohet me përpikmëri gjatë reduktimeve. Për më shumë, kam kërkuar që KEDS të ndalë devijimet, përderisa Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjete për subvencionimin e importit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e ministres në facebook.

Në anën tjetër, Rizvanolli thekson se duke pasur parasysh që shumë qytetarë kanë shprehur dyshimet e tyre mbi vërtetësinë e problemeve teknike për reduktimet e zgjatura, Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur një dosje me të gjitha raportimet për t’i dërguar në Policinë e Kosovës për të hetuar rastin.

Ndër të tjera, nga njoftimi i ministres thuhet se në këtë dosje janë të përfshira edhe disa foto të cilat janë dërguar nga qytetarë ku vërehet heqja e disa siguresave nga trafot e rrymës, si dhe dyshimet nga ana e qytetarëve në lidhje me heqjen e qëllimshme të një faze në disa vende duke e zvogëluar ngarkesën e rrjedhimisht duke e bërë ngrohjen në disa vende jo funksionale.

Gjithashtu, ministrja thotë se ka kërkuar edhe nga Inspektoriati i Energjisë të kenë vigjilencë dhe angazhim të shtuar për të monitoruar situatën, dhe se këto të dyja bashkë do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për t’i sjellur para ligjit të gjithë personat fizikë e juridikë të cilët shfrytëzojnë krizën e energjisë elektrike me të cilën po përballemi, si dhe reduktimet e planifikuara, për të penguar furnizimin me energji e trajtimin e barabartë të të gjithë konsumatorëve.

“Në një situatë si kjo na duhet mirëkuptim e solidarizim, por ja që zakonet e vjetra nuk harrohen lehtë nga keqbërësit të cilët krizat i shohin si mundësi përfitimi. Ndaj tyre do të verprojmë me forcën e ligjit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inspektoriati i Energjisë janë duke përcjellur situatën nga afër dhe inkurajojmë të gjithë qytetarët që t’i raportojnë rastet e dyshimta në me.info@rks-gov.net”, përfundon njoftimi i ministres Rizvanolli. /Buletini Ekonomik/