Rriten Investimet e Huaja Direkte në Kosovë, shifra për 9 muaj shkon afër 390 milionë euro

Krahas rritjes së lartë të remitencave që vetëm deri në fund të tetorit ishin 956 miliardë euro, rritje këtë vit kanë shënuar edhe Investimet e Huaja Direkte në Kosovë (IHD).

Sipas vlerësimeve dhe përllogaritjeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlera e Investimeve të Huaja Direkte vetëm deri në muajin shtator 2021, kishte arritur në 389 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 254 milionë euro të regjistruar vitin e kaluar, pra deri në shtator 2020.

Gjatë kësaj periudhe, rritjen më të lartë kishin shënuar IHD-të tek investimet në patundshmëri, të cilat shënuan vlerën prej 265 milionë eurove, në krahasim me vlerën prej 129 milionë eurove të regjistruar deri në fund të shtatorit 2020, ndërsa shprehur në përqindje, kishte një rritje prej 106 përqind.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, investimet në sektorin e shërbimeve financiare, qëndruan në rreth 87 milionë euro, në krahasim me vlerën prej rreth 67 milionë euro të regjistruar gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.

Tutje, vlera e IHD-ve këtë vit, në krahasim me vlerën e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë viteve të kalura është shumë më e lartë. Kështu, përderisa për periudhën janar-shtator 2021 IHD-të ishin në vlerën e 389 milionë eurove, në të njëjtën periudhë të vitit 2020, ishin 254.3 milionë, më 2019 ishin 216.4 milionë, më 2018 ishin 192.9 milionë, kurse në vitin 2017 ishin 213.1 milionë euro investime të huaja. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/