Gjendja ekonomike në Kosovë është rënduar pas rritjes së çmimeve. Përfaqësues të biznesit dhe politikës kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me rritjen e çmimeve.
Sipas tyre rritja e çmimeve që ka ndodhur kohëve të fundit po e rëndon gjendjen ekonomike të shumë familjeve.
Për kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, lëvizja e çmimeve po bëhet me hapa të paparashikueshëm, si pasojë e mungesës së prodhimit.
“Mungesa e prodhimit, kërkesa e konsumit janë arsye pse në Ballkan dhe Evropë po rriten çmimet. Punëtorët janë subvencionuar gjatë kohës së pandemisë me paga të larta. Ka mungesë të fuqisë punëtore në të gjitha korporatat e fuqishme. Ngritja e çmimeve do të vazhdojë derisa të kemi stabilitet të fuqisë punëtore” deklaroi Shahini.
Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës tha se janë ballafaquar me ngritje të çmimeve, sidomos të vajit e qumështit, përcjell revista Monitor.
“Shoqata gjatë pandemisë ka pasur nevojë imediate. Tash edhe ngritja e çmimeve është problem. Kemi pasur rritje enorme të çmimeve prej 1%, si vajit dhe qumështit. Janë ato që kanë të bëjnë me shërbimin e ushqimit. Po shohim që masat po janë strikte për gastronom. Ka pas frikë për ngritjen e çmimeve sepse mund të ketë rënie të konsumit”.
Kryetari i Shoqatës së Naftarëve, Fadil Berjani, shpresoi të votohet Ligji i naftës, dhe bëri të ditur se ka filluar rënie e lehtë e çmimit të naftës.
“Ligji i naftës ka kaluar, shpresoj ta votoni sepse sektori i naftës e ka emrin e madh, po fitimi i vogël. Jemi më të lirë se Serbia, Bosnja e Hercegovina, dhe Shqipëria”, tha Berjani.
Ruzhdi Kurtishaj, kryetari i Shoqatës së Transportit mirëpriti nismën e AAK-së për të diskutuar telashet e bizneseve në kohën e rritjes së çmimeve.
“Të gjithë i dimë problemet e shumta që ka Kosova. Koordinimi i mirëfilltë i shoqatave është i nevojshëm për të pasur stabilitet. Të gjitha produktet në treg vijnë prej transportit dhe kemi ngritje të çmimeve të biletave të udhëtimit. Mendoj që transportuesit e Kosovës nuk kanë pasur përkrahje as në qeverinë Hoti dhe Kurti. Janë 200 milion euro që akoma nuk janë shpërndarë në sektorë të transportit e gastronomisë”, bëri të ditur Kurtishaj në një tryezë të organizuar nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në tryezën për ngritjen e çmimeve enorme tha se kanë ngritur çështjen për Ligjin e pagave.
“Është temë që na preokupon të gjithë neve në veprimtarinë ekonomike. Edhe rritja e pagave e forcon fuqinë blerëse. Tema si ngritja e çmimeve dhe Ligji i pagave duam t’i shtrojmë në fuqizimin e politikbërjes”, deklaroi Tahiri.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se rritja e çmimeve po e rëndon gjendjen ekonomike në vend.
“Ne si grup jemi të shqetësuar me këtë gjendje dhe do të mundohemi t’i japim vlerë kësaj çështje në Kuvend, që po rëndon gjendjen ekonomike në vend. Ne jemi për të dëgjuar kërkesat e juaja. Ne e dimë se tregjet vendor po përballen me rritje të çmimeve që nga hekuri, druri e produktet ushqimore. Kjo gjendje ka rënduar dukshëm shumë sektorë. Qeveria duket se është zënë në befasi dhe nuk është treguar e shkathtë në këtë situatë. Deri më tani kjo rritje e çmimeve po shihet e pa përballueshme për qytetarë. Për momentin ky inflacion nuk është në gjendje shqetësuese. Në të ardhmen të goditurit nga ky inflacion janë të gjithë ata që paguhen me paga fikse. Roli parësor i qeverisë është të kujdesen për shtresa sociale. Ne duhet të mendojmë edhe për biznese”.
Çmimet e produkteve ushqimore kanë vazhduar të rriten edhe gjatë muajit tetor në Kosovë.
Sipas Agjencisë së Statistikave norma vjetore e inflacionit në muajin e kaluar ka arritur në 5.7 për qind. Ngritjen e këtyre çmimeve sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës është rritur kryesisht te buka, mishi, qumështi dhe druve.
Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në muajin tetor ka arritur në 5.7 për qind.
“Bukë dhe drithëra me 5.7 për qind, mish me 2.4 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 6.2 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 27.9 për qind, kafe, çaj dhe kakao me 4.1 për qind, pije alkoolike me 4.5 për qind; duhan me 2.8 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 8.1 për qind, produkte farmaceutike me 2.3 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 35.5 për qind, shërbime për transport me 2.3 për qind dhe shërbime hoteliere me 2.7 për qind”, thuhet në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), tetor 2021”.
Inflacioni mujor i matur nga IHÇK ishte 1 për qind në muajin tetor 2021, krahasuar me muajin paraprak.