Sa rrymë shpenzon ‘joysticku’ që ministrja Rizvanolli këshilloi që mos të mbahet ndezur kur nuk përdoret?

Artane Rizvanolli-Ministre e Ekonomisë

Mikrovalja, televizori, kompjuteri dhe konsola e video-lojërave janë pajisjet për të cilat ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar që të mos lihen në standby përgjatë periudhës së krizës energjetike.

Megjithatë, të gjitha këto bashkë as nuk i afrohen pajisjeve të prodhimit të kriptovalutave. kur vjen në shprehje sasia e energjisë elektrike që kërkojnë për funksionim. Një mikrovale moderne në standby shpenzon rreth 3 Watt të energjisë për 24-orë. Konzola e lojërave, në anën tjetër, në po të njëjtin modalitet, harxhon mesatarisht 0.0045 kW përbrenda një dite. Kompjuteri në standby merr rreth 3-10 watt. Televizori modern merr 0.5-3 W. Të gjitha këto bashkë nuk bëjnë as 20 W.

Të gjitha pajisjet në fjalë janë përmendur në këshillimet e ministres Rizvanolli për evitimin e krizës energjetike që ka prekur edhe Kosovën, raporton lajmi.net.

Reklama e sponzorizuar

“Të mos lihen në pozicion standby pajisjet elektronike: Mikrovalët, televizori, radio, kompjuterët dhe konsola e video-lojërave”, thuhet në postimin e shpërndarë në profilin zyrtar të ministres.

Mirëpo, të gjitha këto as që nuk i afrohen shpenzimeve të makinave për prodhimin e kriptovalutave, për të cilat nuk dihet numri i saktë i tyre, ndonëse është raportuar më herët se funksionojnë në veri të vendit.

Në mënyrë që të kryhet transaksioni i kriptovalutës Bitcoin nga pajisjet për prodhimin e tyre deri tek kuleta ku arkëtohen ato, nevojiten 707 kW të energjisë elektrike.

Në anën tjetër, Ethereum-i, e cila radhitet si kriptovaluta e dytë pas Bitcoin-it, merr 62.56 kW për të kryer transaksion në të njëjtin relacion.

Përgjatë këtij viti, Qeveria ka ndarë mjete prej 17.7 milionë eurosh në kuletën e KOSTT-it që paguajnë për banorët e veriut.

KOSTT-i ka bërë të ditur gjatë muajit maj se konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rritje në komunat veriore gjatë viteve të fundit.

“Është evidente që konsumi i energjisë elektrike në vitet e fundit ka shënuar rritje në komunat veriore të Kosovës. Rritja e konsumit në vitin 2019 në raport me vitin 2018 ka qenë 7% ndërsa në vitin 2020 konsumi në Veri ka qenë për 13 % më e lartë krahasuar me vitin 2019”, thuhet në përgjigjet e Bajrami-Ramës.