Sektori i tregtisë ‘rrëmbeu’ pjesën më të madhe të fuqisë punëtore në Kosovë më 2021

Sektori i tregtisë vazhdon të mbetet njëri prej sektorëve i cili po rrëmben pjesën më të madhe të punëtorëve në Kosovë për vite me radhë. Nga të gjitha aktivitetet ekonomike në vend, tregtia me shumicë dhe pakicë numëron pjesën më të madhe të të gjithë punonjësve, prej 16.8 për qind. Në shifra reale, 89 mijë e 396 punëtorë punojnë vetëm në këtë sektor, pra shërbim dhe shitje.

Mirjeta SHABANI

Në tremujorin e parë të vitit 2021, shumica e të punësuarve në Kosovë kishin pozita pune në shërbime dhe shitje, në profesione elementare, si profesionistë, dhe si punëtorë zejtarie.

Reklama e sponzorizuar

Pothuajse gjysma e femrave të punësuara ishin: profesioniste, teknike dhe profesione që lidhen me to prej 42.2%, kurse 21.7 % e të punësuarave ishin në shërbime dhe shitje dhe 9.2% ishin në profesione elementare.

Ndërsa meshkujt ishin më të shpërndarë nëpër sektorë, por shumica ishin të punësuar si punonjës në shërbime dhe shitje me 25.7%, 13.0% punonin si punëtorë zejtarie dhe profesione të ngjashme me të, në profesione elementare 17.0% ndërsa 12.4% ishin profesionistë.

Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës rreth “Anketës së Fuqisë Punëtore TM1 2021”, tregohet se sektorët ekonomikë që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.8%; prodhimi me 12.4%; arsimi me 11.1%; dhe ndërtimtaria me 9.4%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Ndërkohë, sa i pëket gjinisë, femrat janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 53.0% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me 43.1% të tyre.

Edhe nga të dhënat e ASK-së, rreth ndërmarrjeve të reja të regjistruara më 2020, thuhet se nga rreth 150 mijë ndërmarrje të regjistruara në Kosovë, mbi 50 për qind e tyre i takojnë vetëm sektorit të tregtisë.

Duke iu referuar të dhënave të njëjta të ASK-së rreth “Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve 2020”, shihet se numri më i madh i të punësuarve për një periudhë pesë vjeçare (2015-2020) ka qenë pikërisht në sektorin e tregtisë, i cili përgjatë këtyre 5 vjetëve është rritur në 70 mijë e 867 punëtorë nga 55 mijë sa ishin në vitin 2015. Njësoj sikur më 2021, pas tregtisë, vjen menjëherë  sektori i prodhimit, i cili më 2020-n numëroi 33 mijë e 841 të punësuar, në krahasim me vetëm 23 mijë më 2015.

Sektori i tretë për nga numri i punëtorëve ishte ndërtimtaria, në të cilën për 5 vjet numri i të punësuarve ka shkuar në 21 mijë e 705, nga 15 mijë e 354 në vitin 2015, ndërkohë që të punësuar në sektorin e akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim ishin 15 mijë e 711 persona më 2020, nga rreth 13 mijë më 2015-n.

Ndërkaq, sektorët e tjerë kanë pasur një rritje më të lehtë të numrit të punëtorëve për këtë periudhë pesë vjeçare, përcjell Buletini Ekonomik.

Vlen të theksohet se në këtë numër nuk bëjnë pjesë të punësuarit në sektorët e veprimtarive ekonomike si: bujqësi, financa, kompani të sigurimeve, arsim, shëndetësi, aktivitetet e ekonomive familjare dhe administratë publike.

Të dhënat e këtij raporti (njëherit më i fundit nga ASK-ja për ndërmarrjet ekonomike), poashtu kanë treguar se paga mesatare bruto ka qenë përafërsisht rreth 403 euro për vitin 2020. Paga mesatare më e lartë ishte në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, e cila për 2020-n ka qenë rreth 1 mijë euro (958), pasuar nga ajo në sektorin informacionit dhe komunikimit me 696 euro, përfshirë këtu edhe sektorin e xehtarisë dhe gurëthyesit, në të cilën punëtori më 2020-n është paguar 598 euro.

Ndërsa, punëtorët të cilët merren me furnizimin me ujë, kanalizim, menaxhim mbeturinash dhe aktivitete të revitalizimit të tokës kishin pagën mesatare prej 499 euro. Të punësuarit në sektorin e transportit dhe magazinimit kishin një pagë prej 414 euro. Punëtorët e ndërtimtarisë paguhen 370 euro, ndërsa punëtorët e tregtisë me shumicë dhe pakicë kanë marrë pagë mesatare prej 349 euro.

Tutje, në sektorin e prodhimit, paga për të punësuarit më 2020, prekte shumën prej 327 euro, derisa ajo më e ulëta ishte në sektorin e akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim me një shumë prej 211 euro. /Buletini Ekonomik/