Rruga e Kombit i imponoi politikës si në Shqipëri edhe në Kosovë progresin në bashkëpunimin ekonomik. Pas takimeve qeveritare të përbashkëta në 6 vitet e fundit qëndrojnë rreth 130 marrëveshje, që nga ekonomia deri tek arsimi, por në realitet, bizneset e dy anëve pohojnë se problematikat dhe pengesat qëndrojnë të njëjta. Mundësitë që krijoi autostrada e re, në vend që të shfrytëzoheshin, u sabotuan me tarifa e konflikte tregtare nga të dy shtetet.
Që kur qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë nisën mbledhjet e përbashkëta në vitin 2014, janë nënshkruar rreth 130 marrëveshje bashkëpunimi që nga ekonomia deri te çështjet arsimore, por në terma konkretë, dy shtetet e të njëjtit komb kanë përparuar me hapa shumë të ngadaltë. Në sfond të takimeve të shpeshta qeveritare barrierat tarifore, procedurat burokratike dhe konfliktet tregtare kanë mbetur të njëjta.
Progresi më shumë se prej mbledhjeve rutinë të qeverive vjen nga Rruga e Kombit. Volumi tregtar ndërmjet vendeve shënoi rritje të shpejtë gjatë periudhës 2007-2013, kur u aktivizua autostrada Durrës – Kukës, e cila e shkurtoi distancën në rreth 3 orë nga 9-10 orë më parë.
Nga viti 2007 deri në vitin 2013, tregtia ndërmjet shteteve shqiptare u rrit me 155%, dhe më pas përparimi ishte më i ngadaltë për shkak të rritjes së barrës së tarifave me skanimin në dogana, tarifën në Rrugën e Kombit dhe një tarifë për terminalet e kamionëve në Kosovë. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, volumi tregtar ndërmjet vendeve u rrit me 44%.
Tregtia
Nga viti 2007 deri në vitin 2013, tregtia ndërmjet shteteve shqiptare u rrit me 155%, dhe më pas përparimi i ishte më i i ngadaltë për shkak të rritjes së barrës së tarifave me skanimin në dogana, tarifën në Rrugën e Kombit dhe një tarifë për terminalet e kamionëve në Kosovë. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, volumi tregtar ndërmjet vendeve u rrit me 44%.
Gjeopolitika rajonale duket se ndikoi së fundmi bashkëpunimin ndërmjet vendeve, teksa Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi nuk u bë pjesë e tregut të përbashkët rajonal dhe nismës “Ballkani i Hapur”, ku deri më tani, kanë rënë dakord vetëm Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Vitin e kaluar, 2020, volumi tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ra me rreth 8%, ndërsa në të njëjtin vit, pavarësisht vështirësive që krijoi pandemia, volumi tregtar mes Shqipërisë dhe Serbisë u rrit me rreth 3%.
Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, tha se, barrierat tarifore dhe jotarifore me Kosovën kanë mbetur të njëjta në pesë vitet e fundit, megjithëse qeveritë e dy shteteve kanë shprehur vullnetin politik për zgjidhjen e tyre shumë herë.
Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës është shprehur se gjatë viteve, prodhuesit kanë hasur pengesa të shumta në tregtimin e produkteve të tyre në Shqipëri. “Pa marrë parasysh gjuhën e ëmbël që e përdorin politikanët e Shqipërisë, procedurat po i kanë shumë të hidhura me prodhuesit e Kosovës.
Kërkesa jonë e parë është heqja e pagesës së skanerit në Shqipëri, për të gjithë qarkullimin, import, eksport Shqipëri-Kosovë. Heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar, import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri. Njohja e certifikimeve dhe analizave fitosanitare etj.”, tha zoti Panxha.
Kanë kaluar shumë vite që kur qeveritë kanë rënë dakord të lehtësojnë këto pengesa, duke hequr barrierat jotarifore, por në realitet ato kanë mbetur të njëjta.
Efektet më të dukshme në turizëm
Progresi i deritanishëm i bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë i dedikohet më së shumti lehtësimit në lëvizje që ka krijuar Rruga e Kombit, sesa retorikave politike dhe mbledhjeve të përbashkëta qeveritare. Patriotizmi është materializuar më shumë nga qytetarët se nga qeveritë. Zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit në Shqipëri vijnë më së shumti, prej prurjeve nga Kosova. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se hyrjet e shtetasve të huaj nga toka pas vitit 2009 u shtuan ndjeshëm.
Në vitin 2010 hynë gjithsej në vendin tonë 1,4 milionë persona në rrugë tokësore, me rritje gati dyfish më shumë se vitin 2008, ku kishin hyrë 782 mijë persona. Hyrjet e personave të huaj në vendin tonë dominohen nga qytetarët e Kosovës që vijnë për pushime dhe fundjava në Shqipëri.
Rruga që lehtësoi tregtinë
Nga viti 2005 deri në vitin 2020, volumi tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është 10-fishuar. Vitin e kaluar, volumi tregtar mes shteteve arriti në 281 milionë euro, nga rreth 30 milionë euro në vitin 2005.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në vitin 2005, volumi tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ishte vetëm 3,6 miliardë lekë, ose rreth 29.8 milionë euro, por u zgjerua me ritme të shpejta pas vënies në funksion të Rrugës së Kombit në vitin 2009. Në tre vitet e mëpasshme 2010, 2011 dhe 2012, tregtia ndërmjet vendeve u rrit më shumë se dyfish, duke arritur në 22,4 miliardë lekë më 2012 nga 6.8 miliardë lekë në vitin 2008 para se të hapej aksi i ri.
Rruga e vjetër Tiranë-Prishtinë, 331 kilometra e gjatë, me dy korsi e shumë kthesa mund të përshkohej për më shumë se 9 orë në kushtet normale të motit. Për më tepër, kthesat e shumta dhe rrezikshmëria në disa vende e bënin të pamundur transportin me kamionë (trajlerë) dhe autobusët e mëdhenj për udhëtarët.
Autostrada e re me katër korsi që nisi në vitin 2006 dhe u bë funksionale për automjetet në vitin 2010, një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor e shkurtoi distancën mes kryeqyteteve, Tiranës dhe Prishtinës, në pak se tre orë. Në vitin e parë të qarkullimit të automjeteve (2010) tregtia ndërmjet vendeve u zgjerua me rreth 36%.
Pavarësisht se tregtia ndërmjet shteteve duket sikur është rritur me shpejtësi, kapacitetet e bashkëpunimit nuk janë shfrytëzuar tërësisht. Tregtia ndërmjet vendeve ka pësuar luhatje në 10 vitet e fundit, duke pasqyruar konfliktet tregtare midis vendeve si dhe tarifat e reja që u vunë për lëvizjen e mallrave.
Përfituese, Shqipëria
Shkëmbimi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës nisi pas përfundimit të luftës në vitin 2000. Në rreth dy dekada tregti shihet se përfituesja më e madhe e është Shqipëria, e cila eksporton më shumë se sa importon mallra në Kosovë. Në vitin 2020, vlera e mallrave që Shqipëria eksportoi në Kosovë ishte tre herë më e lartë se vlera e mallrave që importoi.
Në total, eksportet shqiptare në Kosovë në vitin 2020 ishin 26 miliardë lekë, me rënie 12% në krahasim me vitin 2019, si rrjedhojë e efekteve negative të pandemisë. Ndërsa importet nga Kosova ishin 8.3 miliardë lekë, me rritje 7.3% në krahasim me vitin 2019.
Eksportet shqiptare në Kosovë dominohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, lëkurët dhe prodhimet e tyre dhe ushqimet, ndërsa importet nga Kosova përfaqësohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, të cilat zënë gati 50% të importeve, ushqimet dhe produktet kimike dhe plastike. Kosova është i vetmi vend me të cilin Shqipëria ka bilanc tregtar pozitiv, pasi eksporton mallra gati tre herë më shumë se sa importon.
Tarifat dhe konfliktet tregtare reflektohen në tregti
Me përfundimin e Rrugës së Kombit dhe zgjerimit të tregtisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës u rrit bashkëpunimi tregtar, por edhe konfliktet.
Që kur Kosova u bë shtet, shqiptarët dhe qeveritë e dy anëve të kufirit nuk kanë arritur të krijojnë marrëdhënie normale tregtare dhe ekonomike. Bashkëpunimi, në vend që të thellohet, është fragmentarizuar i mbushur me konflikte dhe pengesa. Në të gjithë historinë e saj të tregtisë së lirë me jashtë, Shqipëria nuk njeh aq konflikte sa me Kosovën. Edhe Kosova nuk njeh pengesa në tregtinë me jashtë sa me Shqipërinë. Rezultati final ka qenë në dëm të krijimit të një tregu të përbashkët, prej të cilit do të vinin të mirat ekonomike për të dy anët e të njëjtit komb.
Shembulli tipik është viti 2013, ku një seri konfliktesh tregtare në të cilat u përfshinë edhe qeveritë ndikuan për keq tregtinë ndërmjet shteteve. Bllokimi i qumështit shqiptar në tregjet e Kosovës u pasua me bllokimin nga pala shqiptare të importit të mishit dhe të miellit nga Kosova.
Konflikti vijoi nga pala e Kosovës me bllokimin e materialeve të ndërtimit. Gjatë verës së vitit 2013, qeveria e Kosovës zhvendosi pikat e zhdoganimit të mallrave, duke krijuar probleme për eksportuesit shqiptarë. Volumi tregtar ndërmjet shteteve në vitin 2013 ra me 0.7%, duke reflektuar konfliktet e shumta tregtare gjatë një viti.
Eksportet e qumështit dhe bulmetit nga Shqipëria në Kosovë ranë me 62%, pa rikuperim të mëtejshëm më 2014. Në përgjigje të bllokimit të miellit nga Shqipëria, Kosova nxori nga tregu dy linjat shqiptare të qumështit në mars të vitit 2013, Primalat dhe Fast, me pretendimin për nivelin e lartë të Aflatoksinës.
Konfliktet u ashpërsuan sërish në vitin 2016, kur Shoqata e Përpunuesve të Miellit në vend lajmëroi zyrtarisht nëpërmjet një letre të hapur drejtuar Kryeministrit falimentin për shkak se, mielli jashtë standardeve që importohej nga Kosova po falimentonte industrinë vendase.
Biznesi shqiptar i përpunimit pretendonte se, standardet e proteinës në miellin e Kosovës ishin pak më shumë se 9%, ndërkohë që fabrikat shqiptare prodhojnë me standard 12% dhe për rrjedhojë, me kosto më të lartë. Tregtia ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, për shkak të konflikteve të miellit, ra me rreth 15% në vitin 2016.
Në 10-vjeçarin e fundit, barra tarifore në tregtinë mes dy vendeve u rrit me tarifa e taksa indirekte. Kosova vuri në vitin 2014 një tarifë 40 euro për çdo natë qëndrimi të kamionëve nga Shqipëria, duke rritur në mënyrë të konsiderueshme kostot për eksportuesit shqiptarë. Ndërsa këto tarifa u baraspeshuan nga Shqipëria, e cila nga viti 2014 filloi zbatimin e tarifës së skanimit në dogana në 22 euro për çdo deklaratë doganore.
Më vonë, gjatë vitit 2019, qeveria e Shqipërisë dha me koncesion mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, ku automjetet e vogla që kalojnë në të paguajnë 5 euro me TVSH, autobusët 11 euro, kamionët e mesëm 16 euro dhe kamionët e rëndë 23 euro. Këto tarifa i rënduan më tej kostot për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve.
Rruga që ktheu turizmin në industri
Pothuajse të gjithë bizneset hoteliere në Shqipëri ua dedikojnë investimet e tyre në sektor pushuesve nga trojet, sidomos nga Kosova. Shumica e hoteleve dhe resorteve në zonën e Durrësit, Shëngjinit dhe Velipojës nisën të ndërtohen në fillim të viteve 2000 prej kërkesës për shërbime turistike nga qytetarët e Kosovës.
Me hapjen e Rrugës së Kombit në vitin 2009-2010, numri i udhëtarëve që hynë në Shqipëri u rrit ndjeshëm. Tani shtetasit nga Kosova, përveç pushimeve të verës nisën të vizitojnë Shqipërisë masivisht edhe për fundjava, duke u bërë burimi kryesor i të ardhurave edhe për disa qytete jobregdetare si Gjirokastra, Berati dhe Korça, etj.
Të dhënat zyrtare për hyrjen e turistëve nga Kosova datojnë pas vitit 2016, por të dhënat më të hershme për hyrjen e turistëve në rrugë tokësore tregojnë se pas përfundimit të Rrugës se Kombit, fluksi i tyre u rrit shpejt. Në vitin 2009, kur u hap Rruga e Kombit, fluksi i hyrjeve të turistëve nga toka u rrit me 38% në krahasim me vitin 2008 si rrjedhojë e ardhjes në Shqipëri të më shumë turistëve nga Kosova.
Numri i tyre po rritet vit pas viti dhe tani, turistët nga Kosova zotërojnë pjesën më të madhe të kërkesës për turizëm në Shqipëri. Edhe në vitin 2020, kur pandemia frenoi udhëtimet për shkak të masave kufizuese në lëvizje, turistët nga Kosova mbajtën gjallë turizmin në Shqipëri duke zënë 50% të hyrjeve të shtesave të huaj në vend, ndonëse me rënie 61% në raport me vitin normal 2019.
Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, tha se“Diferencën e kanë bërë turistët nga Kosova, pra turizmi tradicional që ka pasur kontribut domethënës në shtimin e të ardhurave. Kuptohet, edhe me të huajt nga vendet e Europës ka një rritje, por kryesore ka qenë mbështetja e zonave shqipfolëse”.
Gjatë janar-shkurt 2021, numri i turistëve nga Kosova u rit me 101% në krahasim me vitin 2020 dhe 18% në raport me vitin normal 2019. Nëpërmjet Rrugës së Kombit hynë në Shqipëri rreth 2.4 milionë shtetas nga Kosova.
Rruga e Kombit rrit flukset tregtare dhe turistike edhe me Serbinë
Lehtësitë në lëvizje që ka krijuar Rruga e Kombit bashkë me klimën e mirë politike ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë kanë rritur ndjeshëm tregtinë e mallrave dhe lëvizjen e njerëzve ndërmjet vendeve. Tregtia mes Shqipërisë dhe Serbisë u rrit me ritme dyshifrore në 10-mujorin 2021, por deficiti tregtar mbeti i njëjtë si më 2020 pavarësisht se, eksportet shqiptare u rritën me ritme më të larta.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, importet serbe në Shqipëri arritën vlerën 20 miliardë lekë (168 mln euro) gjatë 10-mujorit 2021, me një rritje 16% në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa eksportet shqiptare në Serbi ishin 8 miliardë lekë (69 mln euro) duke u zgjeruar me 63% në krahasim me 10- mujorin 2020.
Megjithëse eksportet drejt Serbisë janë rritur me ritme të shpejta, ato nuk shërbyen për të përmirësuar deficitin tregtar, i cili mbeti në të njëjtat shifra si edhe vitin e kaluar.
Shqipëria konsumoi në 10-mujor 12 miliardë lekë, rreth 100 milionë euro më shumë mallra serbe sa eksportoi atje, njësoj si më 2020. Eksportet shqiptare në Serbi dominohen nga grupi i “Mineraleve, lëndëve djegëse”, “Ushqimeve” dhe “Materialeve të ndërtimit”, ndërsa eksportet serbe në Shqipëri kryesohen nga energjia dhe produkte ushqimore, si gruri dhe qumështi.
Prodhuesit vendas, sidomos nga industria e qumështit, kanë rritur kërkesat për furnizim me lëndë të parë në Serbi, për shkak të kostove më të ulëta. Qeveria serbe ka një sistem të fortë subvencioni në prodhimet bujqësore sidomos në sektorin e drithërave, gjë që e bën atë mjaft konkurruese në rajon.
Volumet tregtare ndërmjet vendeve vijnë pas përmirësimit të marrëdhënieve politike ndërmjet vendeve dhe lehtësimit të transportit nëpërmjet ndërtimit të Rrugës së Kombit.
Kryeministrat e dy vendeve, Rama dhe Vuçiç, janë angazhuar fuqimisht për krijimin e një zone të përbashkët tregtare nëpërmjet nismës “Ballkani i Hapur”. Nisma, e cila më parë u propozua si Nisma e Berlinit, synon një sistem tregtar të ngjashëm si në BE që të lehtësojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. Mirëpo ajo nuk është mbështetur nga pjesa tjetër e vendeve, të cilat nuk ndihen konkurruese ndaj Serbisë.
Shqipëria realizoi me vendet e rajonit, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut rreth 10% të volumit tregtar (importe + eksporte) në vitin 2020, sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor” (të dhënat për Bosnjën nuk janë në tabelat e INSTAT).
Në krahasim me vitin 2016, kjo peshë është rritur me 2 pikë përqindje. Panorama me këto shtete është e ndryshme, teksa Kosova është partneri kryesor i eksporteve dhe shteti ku kemi bilancin më të madh pozitiv (+145 mln euro), ndërsa e kundërta, nga Serbia marrim më shumë importe dhe kemi deficitin më të madh tregtar (-134 mln euro). Me Maqedoninë e Veriut, Shqipëria ka deficit të lehtë.
Në këtë situatë, një marrëveshje mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, në një kohë që Kosova nuk është e përfshirë, mund të krijojë një disavantazh për Shqipërinë, duke rrezikuar thellimin e deficitit tregtar, sidomos me Serbinë.
Gjithashtu, në verën e këtij viti u rrit ndjeshëm numri i turistëve serbë të cilët zgjodhën Shqipërinë për pushime, si rrjedhojë e bllokimeve në lëvizje nga pandemia për në vendet e tjera të Europës. Shumë hotele në qytetet turistike të vendit u mbushën me turistë nga Serbia, të cilët po vijnë si risi në kërkesat rajonale për turizëm në Shqipëri.
Investimet reciproke, në vendnumëro
Gati dy dekada më parë, kufijtë e Kosovës dhe Shqipërisë u hapën për lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave, bizneseve dhe ideve, por edhe pas kaq shumë vitesh, bashkëpunimi ndërmjet dy anëve të të njëjtit komb mbetet i pamaturuar, duke mos shfrytëzuar potencialet sidomos në investimet reciproke. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në vitin 2020, numri i bizneseve nga Kosova që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri ra me 13% si pasojë e efekteve negative të pandemisë.
Numri arriti në 389 nga 447 që ishin në vitin 2019. Gjatë periudhës 2015-2019, numri i bizneseve nga Kosova në Shqipëri nuk pësoi ndryshime të dukshme. Në vitin 2019, bizneset nga Kosova përfaqësonin 6.4% të bizneseve të huaja në Shqipëri, ndërsa në vitin 2012 5.5% të totalit të bizneseve të huaja. Kompanitë nga Kosova operojnë kryesisht në sektorë me vlerë të shtuar të ulët si tregtia, shërbimet dhe bujqësia.
Kompanitë shqiptare janë më të pakta në numër në Kosovë, por ato operojnë në sektorë me vlerë të shtuar më të lartë, si tregu financiar. Nga viti 2016 në vitin 2020, rreth 14 kompani të reja në vit janë regjistruar në Kosovë. Nga 42 kompani të huaja që u hapën në Kosovë, 16, ose 38% e tyre ishin nga Shqipëria.
Shumë marrëveshje pak bashkëpunim
Pa një bilanc të qartë të 100 marrëveshjeve të kaluara të bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë, Kryeministrat Kurti dhe Rama firmosën edhe dy marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi. E para synon lehtësimin e marrjes së lejeve të qëndrimit dhe punës për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë në shtetet përkatëse.
Sipas marrëveshjes, qytetarët e Kosovës me një aplikim dhe pa dokumente do të marrin menjëherë lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda kësaj leje, do të jetë edhe leja e punës. Qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kosovë do të marrin leje qëndrimi në Kosovë me procedura shumë më të lehtësuara se sot.
E dyta synon njohjen e periudhave të sigurimeve dhe kontributeve shoqërore mes dy shteteve. Përmes saj, të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kosovë do të përfitojnë nga përfitimet për barrëlindje, nga aksidentet në punë, nga pensionet e pleqërisë së invaliditetit në të dyja vendet. Këto lehtësi janë të vlefshme edhe për qytetarët e Kosovës që jetojnë në Shqipëri.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, që nga viti 2014 mbajnë mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme. Deri më tani janë mbajtur shtatë mbledhje të përbashkëta, përfshirë mbledhjen e 26 nëntorit 2021, dhe janë nënshkruar rreth 130 marrëveshje, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi. Këto marrëveshje kanë për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve.
Por deri më tani, shumica e këtyre marrëveshjeve kanë mbetur në letër dhe nuk janë realizuar fare. Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, është shprehur kritik ndaj mbledhjeve të dy qeverive, sipas tij ato mbledhje po mbahen vetëm sa për fotografi dhe premtime retorike.
“Takimet dhe mbledhjet janë duke u mbajtur për të arritur marrëveshje mes dy shteteve, mirëpo këto marrëveshje vetëm po nënshkruhen dhe nuk zbatohen. Nga kjo kuptohet se mbledhjet mes dy qeverive janë duke u mbajtur vetëm për fotografi dhe premtime retorike”.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dheIndustrisë në Shqipëri, Nikolin Jaka, tha se, problematikat e paraqitura nga biznesi për tregtinë ndërmjet dy shteteve mbeten të njëjta sot e kësaj dite, që kur nisën mbledhjet e përbashkëta qeveritare. Ai tha se në mbledhjen e fundit, shumë prej problematikave u parashtruan si të zgjidhura, kur në realitet është e kundërta.
Njohësi i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, thotë se Kosova e Shqipëria duhet të bëhen bashkë dhe ta kalojnë Serbinë me importe dhe eksporte të mallrave e produkteve.
“Realiteti mes Kosovës dhe Shqipërisë, apo bizneseve të dy shteteve është i hidhur. Nëse i analizojmë eksportet dhe importet e mallrave, atëherë del se Shqipëria ka raporte me të mira me Serbinë se sa me Kosovën. Ky realitet duhet të ndryshojë dhe kjo bëhet me punë konkrete dhe jo me mbledhje që nuk kanë asnjë efekt”.
Gerxhaliu thotë se nëse mbahet mbledhja e ardhshme vitin tjetër, atëherë sipas tij duhet të nisë puna nga tani, e jo vetëm të mblidhen pa e ditur se çfarë do të ndodhë. “E kam parë e përcjellë edhe këtë mbledhjen e fundit, dhe aty shihet se problemi më i madh është mes dy kryeministrave, të cilët nuk e shohin as në sy njëri-tjetrin, dhe nga kjo e kupton se mbledhjet nuk do të prodhojnë asgjë”.
Sipas tij, dy qeveritë, tani për tani, duhet të punojnë vetëm në implementimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar tash e sa vite, dhe të mos mendojnë vetëm për t’u mbledhur e takuar. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, deklaroi se të dy shtetet ende mbajnë në fuqi barriera të ndryshme tregtare.
“Autoritetet e të dyja shteteve ende mbajnë në fuqi barriera të ndryshme, që kanë kosto në tregtimin e mallrave. Është momenti i fundit që të hiqen këto kosto të panevojshme, të tilla si çështja me dokumentet fito sanitare, pastaj kostoja e skanerëve e të tjera”. Sipas tij, probleme të ngjashme iu paraqitën edhe bizneseve nga Shqipëria që eksportojnë në Kosovë.
“Mund të themi se të tilla probleme kanë edhe bizneset e Shqipërisë që eksportojnë në Kosovë. Nga kjo del se të dyja qeveritë duhet të merren seriozisht me problemet që kanë çdo ditë bizneset, të punojnë dhe t’i largojnë barrierat”. Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve pohoi se gjatë viteve, prodhuesit e Kosovës janë duke hasur në pengesa të shumta gjatë tregtimit të produkteve të tyre në Shqipëri.
“Pa marrë parasysh gjuhën e ëmbël që e përdorin politikanët e Shqipërisë, procedurat po i kanë shumë të hidhura me prodhuesit e Kosovës. Kërkesa jonë e parë është heqja e pagesës së skanerit në Republikën e Shqipërisë, për të gjithë qarkullimin, import, eksport Shqipëri-Kosovë. Heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar, import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri.
Njohja e certifikimeve dhe analizave fitosanitare të të gjitha produkteve që u nënshtrohen këtyre analizave të certifikatave. Njohja reciproke e produkteve farmaceutike, autorizim për tregtim për agjencitë relevante, për prodhuesit e Kosovës dhe Shqipërisë në të dyja tregjet”, është shprehur Panxha. Ai shtoi se pa eliminimin e këtyre barrierave konkrete nuk mund të ketë bashkëpunim të mirë mes dy shteteve.
Sipas një studimi të institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të bërë vitin e kaluar, bizneset e Kosovës paguajnë rreth 2 milionë euro në vit vetëm për skanimin e mallit, përpara se të hyjnë në Shqipëri.
Sipas GAP-it, autoritetet e Shqipërisë u kërkojnë bizneseve nga Kosova t’i noterizojnë edhe certifikatat fitosanitare të prodhimeve – gjë të cilën nuk e praktikojnë shtetet e tjera në rajon, e madje as ato të Bashkimit Europian.
Në tetor të këtij viti, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) kanë matur qëndrimet e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, sa u përket marrëdhënieve mes dy qeverive. Më shumë se 60% e të anketuarve kanë deklaruar se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy qeverive nuk kanë pasur ndonjë ndikim në jetën e përditshme.
Në mbledhjen e 26 nëntorit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se nëse shikohen marrëveshjet një nga një, “disa prej tyre janë zbatuar plotësisht, disa janë në zbatim e disa kanë ngecur”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshjet e nënshkruara kanë ngecur, por shtoi se do të punohet në zbatimin e tyre./Monitor.al/