Kthim pozitiv në investime në nivel rekord ka realizuar Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës nga janari deri në muajin tetor të vitit 2021. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), 132.7 milionë euro është kthimi pozitiv për këtë periudhë i mjeteve të investuara në tregje nga Trusti.
Mirjeta SHABANI
Pavarësisht tërheqjes së mjeteve nga kontribut-dhënësit në nivel prej 10 përqind, mundësi kjo e cila u përmbyll në fillim të tremujorit të dytë të vitit 2021, gjithsej asetet e sektorit pensional shënuan rritje vjetore prej 10.7 përqind në fund të tetorit 2021, dhe arritën vlerën prej 2.29 miliardë euro. Në periudhën e njëjtë të vitit 2020, asetet e këtij sektori ishin 2.07 miliardë euro.
Vlera e aseteve të gjithsej sektorit pensional në vend në tetor kishte arritur në 2,225.6 miliardë euro, ndërsa asetet e vetëm Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ishin 2,216.6 miliardë euro. Kurse, vlera e aseteve në Fondin Slloveno-Kosovar të Pensioneve (FSKP) ishte 9.19 milionë euro, në fund të muajit tetor 2021.
Tutje, asetet e jashtme neto të fondeve pensionale të Kosovës në tetor shënuan vlerën e 1,660.0 miliardë eurove, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkohë, kontributet e reja pensionale gjatë kësaj periudhe u rritën në 157 milionë euro. E vlera e çmimit të aksionit në këto fonde pensionale, nga BQK-ja u pasqyrua me një çmim prej 1.69€.
Struktura e aseteve e FKPK-së përbëhet kryesisht nga mjetet e investuara jashtë vendit, por që pesha e tyre gradualisht është zvogëluar kundrejt rritjes së peshës së mjeteve të investuara në vend.
Në bazë të të dhënave të BQK-së, që dalin nga raporti i fundit për “Vlerësimin Tremujor të Sistemit Financiar Nr. 35, Tremujori II/2021”, rreth 72.3 përqind e mjeteve të FKPK-së janë të mbajtura jashtë vendit. Saktësisht, në vlera monetare, rreth 1.50 miliardë euro ishin të alokuara në fonde të përbashkëta investuese dhe 57.6 milionë euro ishin para në transit në tremujorin e dytë 2021.
Në përgjithësi, sektori pensional në Kosovë edhe nga Banka Qendrore e Kosovës në konferencën e fundvitit, u vlerësua se ishte karakterizuar me rritje krahasuar me vitin paraprak (2020).
Po gjatë vitit 2021, Trustit Pensional të Kosovës iu miratuan edhe dy kërkesat kryesore që kishte për Kuvendin e Kosovës, rreth miratimit të taksës investive dhe asaj operacionale për këtë intitucion.
Por, çka është taksa investive dhe ajo operacionale që Trusti tash e tutje ua ngarkon qytetarëve kosovarë?
Kuvendi i Kosovës në muajin dhjetor të 2021-s, me shumicë votash ia ka miratuar kërkesën Trust-it për taksën vjetore investive dhe atë operacionale për vitin 2022, me anë të së cilës kontributdhënësit obligohen që të paguajnë disa centë në muaj për funksionimin normal të këtij institucioni.
Dy kërkesat e Trust-it Pensional ishin që taksa vjetore investive të miratohet në një tarifë prej 0.32 për qind, kurse taksa operacionale prej 0.057 për qind, ose 0.15 cent në muaj për të gjithë kontributdhënësit. Më saktësisht, kontribuesit aktivë në Trust do të paguajnë nga rreth 2 euro në vit për këtë taksë, përcjell Buletini Ekonomik.
Mirëpo, ku do të shkojnë këto mjete dhe për çfarë do të përdoren?
Nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës kanë deklaruar për Buletinin Ekonomik se të gjitha tarifat e ngarkuara nga Trust-i do të përdoren për t’i mbuluar vetëm shpenzimet për investim të mjeteve pensionale dhe operimin ditor të këtij institucioni dhe asnjë arsye tjetër.
Jeton Demi, zyrtar i Trust-it, ka thënë se sipas ndryshimeve në kuadër të Ligjit Nr. 04/L-168, FKPK-ja ka ngarkuar tarifën investuese për kontributdhënësit për të mbuluar shpenzimet që lidhen me investimin e mjeteve pensionale në tregjet financiare globale dhe tarifën operacionale për mbulimin e shpenzimeve të tjera në zyrat e FKPK-së.
Sipas Demit, arsyeshmëria e këtyre tarifave ndërlidhet drejtpërdrejt me ekzistencën dhe funksionimin e institucionit, por edhe investimit të mjeteve pensionale, për t’ua ruajtuar dhe ngritur vlerën atyre njëkohësisht.
“FKPK-ja nuk është institucion që financohet nga buxheti i Kosovës por financohet në mënyrë të ngjashme, sikurse të gjitha fondet pensionale me kontribut të definuar, d.m.th. duke ngarkuar tarifa menaxhuese mbi mjetet nën menaxhim (mjetet pensionale)”, kanë thënë nga Trusti, duke shpjeguar mënyrën e financimit të këtij institucioni.
Sa i përket niveleve të tarifave, nga Trusti shtojnë se ato bëhen sipas rekomandimeve të Bordit Drejtues, pastaj të njëjtat miratohen edhe nga Kuvendi i Kosovës, duke i siguruar kështu Kuvendit një mënyrë të tërthortë të kontrollit mbi shpenzimet e FKPK-së.
Sipas Demit, FKPK-ja ashtu-kështu ngarkon tarifa menaxhuese tejet të ulëta, që e bëjnë këtë institucion njërin prej fondeve pensionale me tarifat më të ulëta në shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Në kuadër të kësaj, ai thotë se në vitin 2020, FKPK-ja u kishte ngarkuar kontribuuesve tarifa menaxhuese prej 0.15 euro në muaj për çdo llogari për shpenzimet operacionale, dhe kjo ka qenë tarifa më e ulët për çfarëdo shërbimi të ngjashëm, publik e privat, në Kosovë.
Aktualisht në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës janë 414 mijë llogari aktive dhe rreth 750 mijë llogari të hapura prej themelimit (nga kjo e fundit duhet të zbriten llogaritë e pensionuara – rreth 62 mijë).
Sipas kalkulimeve të Buletinit Ekonomik, në muaj FKPK-ja pritet të gjenerojë të ardhura nga taksa operacionale 62 mijë e 100 euro. Kurse për një vit, ky institucion do t’i ketë në dispozicion gjithsej 745 mijë euro.
Ndryshe, sektori pensional, si sektori i dytë për nga pesha në sistemin financiar, përbën 26.5 përqind të gjithsej aseteve të sistemit financiar. Asetet e sektorit pensional në vendin tonë përbëhen 99.6 përqind nga asetet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) dhe 0.4 përqind nga asetet e Fondit SllovenoKosovar të Pensioneve (FSKP). /Buletini Ekonomik/