Prej 120 mijë bizneseve sa janë të regjistruara në ARBK, vetëm 40 mijëjanë aktive, që do të thotë i kryejnë obligimet tatimore.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin “Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve 2020”, konstatohet se numri i ndërmarrjeve aktive gjatë vitit të kaluar është rritur për 5 mijë e 400 pasiqë në vitin 2019 kjo shifër ka qenë 34 mijë e 615.
Sektori i cili për vite me radhë vazhdon të mbetet i pari për nga numri më i madh i ndërmarrjeve aktive është tregtia, e cila në vitin 2020 ka pasur 16 mijë e 614 ndërmarrje, pra që i bie 41.5 për qind.
Pas tregtisë, aktiviteteve të shërbimeve të tjera poashtu kanë më së shumti ndërmarrje. Ky sektor gjatë vitit 2020 ka pasur gjithësej 7 mijë e 840 ndërmarrje, qe i bie 19.6 për qind nga gjithësej ndërmarrjet e regjistruara aktive të vitit 2020.
Më pas vijnë ndërmarrjet e industrisë përpunuese (prodhimit) me 5 mijë e 357 ndërmarrje, ose 13.4 për qind, ndërkohë që ndërmarrjet e akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim (hotelet, motelet, hostelet dhe bujtinat e tjera si dhe restorantet dhe objektet e ndryshme të gastronomisë), kanë qenë 3 mijë e 915, ose 9.8 për qind, ndërsa ato të ndërtimtarisë ishin 3 mijë e 177 ndërmarrje, ose 7.9 për qind, ndonëse aktivitetet e tjera kanë qenë me përqindje më të ulët të ndërmarrjeve. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/