Vetëm 500 megavat prodhimi në termocentrale në vend, kërkesa për rrymë dyfish më e lartë

Fotografi ilustruese

Për momentin, vetëm dy njësi të termocentralit Kosova B janë duke prodhuar rrymë ndërsa njësitë tjera të Kosova A nuk janë aktive, ka mësuar Kosovo.Energy.

Ndërsa njësitë B1 dhe B2 në termocentralin Kosova B janë duke prodhuar rreth 500 megavat në orë energji elektrike, tri njësi të termocentralit Kosova A nuk janë aktive. Nga këto tri njësi jo-aktive, dy kanë pësuar rënie të paplanifikuar.

Ndëra konsumi në orë të pikut vazhdon të jetë i lartë dhe mbi 1000 megavat, ndryshimi ndërmjet kërkesës dhe prodhimit në vend arrinë në 500 megavat në orë, ka mësuar Kosovo.Energy.

Reklama e sponzorizuar

Çmimet e rrymës në treg shumë të larta, mbi 330 euro për megavat

Mungesa e energjisë elektrike në treg si dhe kriza energjetike ka bërë që cmimet e energjisë elektrike në tregje ndërkombëtare të jenë shumë të larta. Nga këto tregje Kosova importon sasitë e nevojshme për energji elektrike.

E për të mbuluar kërkesën për energji elektrike, Kosova këtyre ditëve ka importuar rrymë me cmime marramendëse dhe të pakrahasueshme me cmimin e rrymës që prodhohet në vend nga KEK, e që është diku rreth 30 euro për megavat.

Si shembull, në tregun hungarez të energjisë elektrike – HUPX, prej nga Kosova kryesisht importon energjinë elektrike, cmimi për një megavat energji elektrike për energjinë bazë ka arritur në 265.86 euro për megavat, ndërsa cmimi për energji në orë të pikut në 331.08 euro për megavat.

Cmimet e larta pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ani pse pritet të shënojnë një ulje të vogël. Si shembull, në tregun hungarez cmimi për energji elektrike në kohë të pikut gjatë ditës së nesërme është 293.04 euro për megavat.

Konsumi dyfish më i lartë se prodhimi, kërkohet kursimi i rrymës

Rënia e temperaturave ka bërë që kërkesa për energji elektrike në vend të rritet jashtzakonisht shumë.

Në mungesë të alternativave tjera, qytetarët e Kosovës po përdorin energjinë elektrike për ngrohje, dhe kjo është ndër faktorët kryesorë për rritje të jashtzakonshme të kërkesës gjatë stinës së dimrit.

Ndryshe, kërkesa për energji elektrike këto ditë në Kosovë ka tejkaluar 1000 megavat në orë të pikut, apo dyfishi i prodhimit në vend, ka mësuar Kosovo.Energy.

Në disa raste, kërkesa është dukshëm më e lartë, gjë që e vështirëson edhe më shumë operimin e sistemit elektroenergjetik në vend.

Situata është akoma më e vështirë pasi vlera prej 1000 megavatësh nuk përfshinë kërkesën për energji elektrike në veri. Kësisoji, mund të supozohet se kërkesa për rrymë në vend është më e lartë se 1000 megavat, në kohë të pikut.

E duket se rritja e cmimeve në tregje ndërkombëtare dhe rritja e importeve do të ndikojë edhe në rritjen e cmimit të energjisë elektrike në vend.

Për të lehtësuar këtë rritje, të shumta ishin thirrjet për kursim të energjisë elektrike. Ndërsa KEDS dhe KESCO po vazhdon kampanjën për kursim të energjisë elektrike, në shumē raste edhe Ministrja Artane Rizvanolli ka kërkuar një gjë të tillë.

Kosova me kapacitete të mangëta të prodhimit, operon kryesisht me termocentrale të vjetra dhe importe

Kosova ka konsideruar në vazhdimësi ngritjen e kapaciteteve energjetike përmes thëngjillit, pasi që ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi.

Kosova ndërkohë vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Në 15 vitet që po lëmë pas, Kosova ka diskutuar për mundësinë e ndërtimit të një termocentrali të ri me thëngjill që supozohej të siguronte stabilitet të furnizimit me energji elektrike dhe majftueshëm prodhim për të mbuluar kërkesën.

Planet për ndërtimin e një termocentrali të ri ishin afër zbatimit pas nënshkrimit të marrëveshjeve me kompaninë amerikane të listuar në Londër, ContourGlobal, por pas tërheqjes së kësaj të fundit, duket se ideja e ndërtimit të një termocentrali të ri përfundimisht është shuar.

Ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e re’ është kundërshtuar nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët në vazhdimësi e kanë konsideruar si projekt të dëmshëm për mjedisin.

E krahas investimit në kapacitete të thëngjillit, Kosova kishte planifikuar edhe investime në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, të cilat për momentin janë të pakta dhe për nga mënyra se si operojnë, nuk garnatojnë siguri të furnizimit me rrymë.

Disa projekte të reja të BRE-ve tashmë janë në operim, ndërsa disa tjera janë ndërtuar dhe të gatshme për prodhim, por po presin autorizimin për të filluar operimin.

Në mungesë të kapaciteteve të reja, Kosova kryesisht mbështetet në termocentralet Kosova A dhe Kosova B për furnizimin me energji elektrike, të cilat për shkak të moshës, vlerësohen të pasigurta dhe ndotëse.

E atëherë kur kërkesa për rrymë është më e lartë se prodhimi në vend, pjesa e mbetur e energjisë elektrike importohet./kosovo.energy/