Rritja e jashtzakonshme e konsumit kohëve të fundit, e ndikuar kryesisht nga përdorimi i rrymës për ngrohje në mungesë të alternativave tjera të ngrohjes për qytetarë ka ndikuar në rritjen e importeve, e edhe të vlerës së tyre.
E me rritjen e çmimit të rrymës e edhe vlerave të importit, vetëm këtë vit është importuar rrymë me vlerë mbi 400% më të madhe krahasuar me vlerën e gjithë importeve gjatë vitit 2021.
Ndërsa gjatë gjithë vitit 2020 Kosova kishte importuar rrymë në vlerë prej afërsisht 11.5 milion eurosh, vetëm deri në tetor të vitit 2021 Kosova ka importuar afër 49.2 milion euro rrymë, apo mbi 400% më shumë krahasuar me gjithë vitin 2020.
Vlerat mund të rriten edhe më shumë pasi sipas raportimeve muaji nëntor ka shënuar rekorde të reja të importit të rrymës, të cilat nuk janë përllogaritur në tabelën më poshtë. Si shembull, vetëm të mërkurën e 24 nëntorit është importuar rrymë në vlerë prej 657 mijë e 311 euro.
Periudha | Importet |
---|---|
2021 (deri në muajin tetor) | 49,213,626.93 EURO |
2020 (gjatë gjithë vitit) | 11,566,623.50 EURO |
2019 (gjatë gjithë vitit) | 17,147,809.90 EURO |
Ndryshe, përvec rritjes së importeve, rritje të jashtzakonshme kanë shënuar edhe çmimet e energjisë elektrike në tregje ndërkombëtare, prej nga Kosova edhe importon rrymën.
KEDS ka njoftuar se ka importuar rrymë me 325 euro për megavat më 26 nëntor, ndërsa të njejtën ditë një vit më herët rryma është importuar me vetëm 63 euro për megavat.
Të gjithë konsumatorëve u është kërkuar të kursehet energjia elektrike për të ndihmuar sistemin elektroenergjetik në Kosovë, tashmë të ndikuar nga rritja e jashtzakonshme e çmimit të rrymës në Evropë.