Në mbledhjen e rregullt të Bordit, Zyra e Rregullatorit për Energji ka gjobitur ndërmarrjen ‘Ibër Lepenci’ me 110 mijë euro për shitjen e energjisë elektrike jasht Kosovës, pas shkeljeve ligjore të evidentuara nga kjo zyre në procedurën e vazhdimit të kontratës.
ZRRE me rastin e vlerësimit për shqyrtim të dënimit me gjobë, ka marrë parasysh edhe rrethanat lehtësuese, duke pasur parasysh sjelljen paraprake, situatën financiare të të licensuarit të ndikuar nga pandemia COVID.
Gjatë mbledhjes së bordit është propozuar që t’i shqyrtohet dënimi me gjobë ndërmarrjes hidro-ekonomike Iber Lepenci, për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara në lidhje me vazhdimin e kontratës për shitjen e energjisë elektrike me kundërshtim me procedurat për tregtim të energjisë elektrike.
“Hidrocentrali Ujmani në kuadër të ndërmarrjes ekonomike, ‘Ibër Lepenc’ kishte hapur tender për shitjen e energjisë me që rast kishte lidhur kontratë një vjeçare, nga 17 maj 2019 deri më 16 maj 2020 ku si model është përdorur kontrata kornizë e Federatës së energjisë. Në datën 20 maj 2020 palët kanë vazhduar kontratën, duke e zgjatur liberimin e energjisë deri më 31 dhjetor 2020. Pas shqyrtimit dhe monitorimit, raporti është dërgu tek ‘Iber Lepenc’ dhe ka kërkuar nga operatori të ofroj përgjigje me shkrim. Me datën 2 nëntor të vitit 2020 HC Ujmani ka dërgu komentet duke dhënë arsyetime për vazhdimin e afatit për liberimin e rrymës. Bordi ka konstatuar se hidrocentrali në asnjë rast dhe me asnjë fakt nuk ka mundur ta kundërshtoj apo argumentoj raportin me të gjeturat. Vazhdimi i liberimit të rrymës ka ndodhur vetëm për arsye të mos përmbushjes së marrëveshjes kontraktuale kështu duke bërë shkelje për tregtim të energjisë”, tha Skender Muqolli nga departamenti i tregut në ZRrE.
Ndërkaq nga zyra ligjore e ZRrE kanë propozuar që gjoba të jetë 5 përqindëshi i prodhimit të energjisë elektrike të vitit paraprak që sipas llogaritjeve është 110,705 euro.