Qeveria e Kosovës gjatë ditës së martë ka miratuar propozimin e ZRRE-së, për rikthimin e bllok tarifave për energjinë elektrike për qytetarët e Kosovës.
E një rritje të tillë nga qytetarët konsiderohet si shumë e lartë dhe e papërballueshme për financat e tyre familjare.
Disa prej tyre për Telegrafin, deklaruan se kjo situatë është e pa pranueshme, pasi nuk kanë me çfarë të ngrohen përveç rrymës.
Qyetari Kadri Hasani, i hedh faj të gjitha qeverive për gjendjen energjetike. Ai thotë se që 23 vjet Kosova ka vazhduar me situatë të njëjtë, por se tani është rënduar akoma më shumë.
“Unë më herët kam paguar 40 deri në 45 euro. Mirëpo tash nuk do të mundem me e përballu sepse me 100 – 200 euro nuk mundesh me e përballu, edhe rrymën me na e bë 100 euro veç me na pushkatua. Këtu është terr qe 23 vjet, çfarëdo qeverie që po vjen njëjtë”, shprehet Hasani.
Kurse dikush e ka hallin e asaj se a do të arrijë të dalë në pranverë, me këto rritje të vazhdueshme në çdo sektor të jetës në Kosovë.
“Unë ngrohem me rrymë dhe prapë me rrymë duhem me vazhdu se s’kam qare, deri në pranverë në qoftë se mbërrijmë me dalë. Po ne po shpresojmë që moti do të merr kështu si po merr tash, sepse shpenzimet pastaj janë më të vogla. Ndoshta ia bëjmë hallin disi”.
Negjmije Bojaj, ka hedhur fajin tek qeveritë e më hershme të cilët ishin në pushtet.
“Unë besoj shumë në qeverinë dhe besoj që e ka një arsye ajo, edhe pse i ka disa anë negative por besoj që ka arsye. Pasojë e mungesës së rrymës nuk është qeveria me 6-7 muj qeverisje”, tha ajo.
Po ashtu edhe Z.B., e arsyeton vendimin për shtrenjtimin e rrymës.
“Unë me rrymë ngrohem. Tash që u shtrenjtua rryma kemi me e pagu sepse ndryshe nuk mbahet shteti. Unë e arsyetoj këtë vendim të qeverisë, sepse nuk është faji i kësaj qeverie është faji i qeverive të mëparshme ”, deklaroi ai.
Mendim të njëjtë nuk ka një tjetër qytetar.
H.E, e ka e quajtur si turp e edhe duke e kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
“S’kemi çka me bë shtrenjtë, shtrenjtë, nëse e ka pru këtë vendim qeveria, por më së pari kjo nuk është qeveri sepse ky nuk mund të jetë as kryeministër. Kjo është turp sepse atje ka premtuar që do të zvogëlohen, asgjë nuk ka bërë fare. Kryeministri duhet të ofrojë dorëheqjen”, u shpreh ai.