Dogana e Kosovës ka lansuar gjatë vitit 2021 dy aplikacione ku u mundësohet qytetarëve dhe bizneseve që të raportojnë për rastet kur hasin në keqpërdorim të detyrës zyrtare apo kur qytetarët trajtohen në mënyrë joprofesionale nga zyrtarë të Doganës.
Gjatë intervistës për Telegrafin, drejtori i këtij institucioni, Agron Llugaliu ka thënë se e marrin me seriozitet të lartë çështjen e luftës kundër korrupsionit dhe raportimit për të.
“Dogana e Kosovës çështjen e korrupsionit e merr me seriozitet të lartë. Është e vërtetë që kemi pasur arrestime. Gjatë vitit 2021 kemi pasur nëntë zyrtarë që i janë nënshtruar suspendimit nga detyra, me qëllim që të mundësohet një hetim i pandikuar dhe të gjithë janë në hetim e sipër dhe do të ketë një vendim krahas procesit në gjykatë. Është me rëndësi të theksohet se të gjitha këto hetime janë bërë nga Dogana e Kosovës”, tha Llugaliu.
Tutje ai shtoi se pasi për ta është e rëndësishme që të ketë komunikim të mirëfilltë me publikun, i kanë lansuar dy aplikacione për Smartphone.
“Njëri është menduar që të funksionoj për komunitetin e bizneseve dhe i ofron të gjitha shërbimet kryesore të proceseve të punës. Ndërsa tjetri është menduar për komunikim me publikun e gjerë. Në këtë aplikacion është i mundësuar komunikimi i pa identifikueshëm, i sigurt me publikun për të raportuar të gjitha rastet kur kemi keqpërdorim të detyrës zyrtare, kur dikush nuk trajtohet në mënyrë profesionale nga zyrtarët e Doganës së Kosovës, e që njëkohësisht do të na shërbej si bazë për zgjerim edhe të shërbimeve tjera”, tha Llugaliu për Telegrafin.
Ndërkaq, Dogana po ashtu ka krijuar edhe mundësinë që qytetarët të verifikojnë për të dhënat e veturave të përdorura, ku sipas tij ndodhin shpesh mashtrimet.
“Aktualisht përveç këtyre mundësive, ne i kemi krijuar edhe mundësinë që qytetari të ketë mundësi të verifikoj një fushë që është veturat e përdorura që është shpesh objekt mashtrimi nga tregtarët. Qytetari ka mundësi që përmes të dhënave të automjetit ose të deklaratës doganore të gjej se cila ka qenë gjendja e kilometrave të kaluara në momentin kur automjeti është paraqit për zhdoganim në Doganën e Kosovës”, bëri të ditur Llugaliu.
Llugaliu po ashtu foli edhe në lidhje me të ardhurat e mbledhura nga Dogana e Kosovës.
Ai tha se në vitin 2022, planifikohet që të grumbullohen 70 milionë euro më shumë sesa në vitin 2021 nga Dogana.
“Plani për vitin 2022 është 1 miliardë e 441 milionë, që i bie 70 milionë më shumë sesa që janë mbledh gjatë vitit 2021”, tha ai.