Doganat e Shqipërisë vitin e kaluar mblodhën 1.6 miliardë euro

Euro

Zgjerimi i konsumit pas pandemisë si dhe rritja e çmimeve të mallrave të importit kanë bërë që doganat të rrisin ndjeshëm të ardhurat duke e mbyllur vitin 2021 me bilanc pozitiv.

Vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare administrate doganore ka arkëtuar mbi 193 miliardë lekë, gati 1.6 miliardë euro duke tejkaluar edhe nivelet e parakrizës. Në raport vitin 2020, u grumbulluan rreth 40 miliardë lekë më shumë.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në import ka dhënë edhe ndikimin kryesor me rreth 30.8 miliardë lekë më shumë të arkëtuara kryesisht prej rritjes së konsumit të karburanteve, mallrave të konsumit të përditshëm, importit të metaleve apo rritjes së importit të automjeteve të përdorura.

Reklama e sponzorizuar

Zgjerimi i importit të karburanteve e mallrave të tjera të akcizës si cigaret apo birra kanë bërë që të rriten ndjeshëm edhe të ardhurat nga akciza me gati 57 milionë euro më shumë se në vitin 2020.

Kjo ecuri pozitive e arkëtimeve nga taksat doganore që sipas Ministrisë së Financave ka ardhur edhe prej mirëadministrimit fiskal ishte e pritshme pas tkurrjes së fortë që panë në vitin pandemik 2020, kur ekonomia ishte për 3 muaj në karantinë dhe shumë vende të huaja aplikuan masa kufizuese duke penguar importin e mallrave.

Për këtë vit, qeveria ka parashikuar një plan më ambicioz në mbledhjen e të ardhurave tatimore e doganore, nisur nga pritshmëritë më optimiste për një përmirësim të aktivitetit ekonomik por dhe prej rritjes së çmimeve globale si dhe efekteve që do të japë hyrja në fuqi e ndryshimeve të paketës fiskale./Top Channel/