Kurti: Gjykata Komerciale lehtëson tërheqjen e investimeve të jashtme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas miratimit të projektligjit për Gjykatën Komerciale sot në Kuvend, ka thënë se është hapur edhe formalisht tani rruga për krijimin e Gjykatës Komerciale.

Sipas tij, për një kohë shumë të gjatë, sektori privat në vend është ballafaquar me sfida që kanë frenuar bizneset e tyre për shkak të mungesës së efikasitetit gjyqësor, procedurave të stërzgjatura për zgjidhjen e rasteve, ekspertizave profesionalisht jo të kënaqshme apo numrit të vogël të gjyqtarëve.

Kështu, vetëm për tri vite (2018, 2019 dhe 2020), në Departamentin për Çështje Ekonomike janë hapur 2260 konteste mes bizneseve, nga të cilat 15 raste kanë vlerë mbi 1 milion euro secila.

Reklama e sponzorizuar

Kurti shpjegoi se Ligji për Gjykatën Komerciale krijon mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare, me qëllim që të drejtat e bizneseve të fituara nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare dhe administrative të realizohen pa vonesa, duke lehtësuar kësisoj shfrytëzimin e kapitalit.

Ky Ligj, po ashtu siguron lirinë e sipërmarrjes, barazinë e palëve, të drejtën e pronës dhe zbatimin e kontratave, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit, si dhe ndërton besimin e investitorëve, duke përfshirë mërgatën, dhe i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës, vlerëson Kurti.

Departamenti Ekonomik i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka operuar me kapacitete mjaft të kufizuara për vite me radhe, me ç’rast mesatarja e zgjidhjes së vetëm një rasti të natyrës ekonomike merrte 4 deri në 5 vite kohë.

“Themelimi i Gjykatës Komerciale do të përmirësoj gjendjen përmes aktgjykimeve meritore për zgjidhje përfundimtare të rasteve nga gjyqtarët, numri i të cilëve do të rritet konsiderueshëm, nga vetëm 5 sa kanë qenë deri tash. Mbi 3.000 raste qysh në fillim do të jenë subjekt shqyrtimi i kësaj Gjykate, që do të ketë juridiksion edhe për rastet përmbarimore, duke zgjidhur afërsisht 500 raste të kësaj natyre në vit:, ka shkruar Kurti në një postim në facebook.

Sipas Kurtit, ky ligj do të lehtësojë edhe tërheqjen e investimeve të jashtme, duke e bërë Kosovën kredibile, serioze dhe të përkushtuar për drejtësi dhe të drejtën, si dhe drejt zhvillimit ekonomik. /Buletini Ekonomik/