Banka Botërore parasheh ngadalësim të rritjes ekonomike më 2022 dhe 2023

Banka Botërore ka publikuar raportin e fundit “Perspektiva Ekonomike Globale”, ku rritja ekonomike pritet të ngadalësohet ndjeshëm nga 5.5 për qind sa ishte gjatë vitit 2021, në 4.1 për qind në vitin 2022 dhe 3.2 për qind në 2023-ën.

Përhapja e varianteve të COVID-19 krahas inflacionit, rritja e borxhit dhe pabarazisë intensifikon pasigurinë. Sipas këtij raporti, Mali i Zi është shteti i Ballkanit Perëndimor që pati rritjen ekonomike më të madhe gjatë vitit që lamë pas, me 10.8 për qind.

Banka Botërore tregon se Kosova gjatë vitit 2021 ka pasur një rritje ekonomike prej 7.1 për qind, ani pse Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti kishte pretenduar për shifra dyshifrore, shkruan Demokracia.com.

Reklama e sponzorizuar

Mali i Zi, në anën tjetër, është shteti që ka pasur rritjen më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor, me 10.8 për qind.

Kryeministri Kurti kishte deklaruar se rritja ekonomike e Kosovës “është e pashembullt në Ballkan”, megjithatë ky qëndrim i tij tani po demantohet edhe me fakte.

“A e dini çfarë do të thotë nëse përgjatë viteve të kësaj dekade ne vazhdojmë me rritje ekonomike prej 10 për qind? Ne do i afrohemi Kroacisë. Nëse vazhdojmë vit pas viti me këtë rritjen 10 për qind që është e pashembullt në Ballkan ne do t’i afrohemi vendit që së fundmi iu bashkua BE-së”, kishte thënë Kurti.

Shqipëria gjatë vitit 2021 pati rritje ekonomike prej 7.2 për qind, Maqedonia e Veriut me 4.0 për qind, Bosnja e Hercegovina me 4.0 për qind po ashtu, si dhe Serbia ka shënuar rritje ekonomike prej 6.0 për qind.

Banka Botërore ka paralajmëruar se gjatë vitit 2022 dhe atij në vazhdim, pritet të ngadalësohet ndjeshëm rritja ekonomike, për shkak se rreziku nga Covid-19 ekziston ende.

Sipas raportit dhe të dhënave që ka nxjerrë Banka Botërore, rritja ekonomike gjatë vitit 2022 në Ballkanin Perëndimor pritet të jetë rreth 4.1 për qind, ndërsa në 2023-ën rreth 3.8 për qind.

Kosova parashihet që këtë vit vlerën e rritjes ekonomike ta ketë 4.1 për qind, ndërsa gjatë atij në vijim, rreth 4.4 për qind.

Ky raport përmend se rritja ekonomike pritet që të jetë më e madhe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, për shkak të përgatitjeve për anëtarësim në BE, shkruan Demokracia.com.

Kryeministri Kurti më herët kishte deklaruar se Kosova ka regjistruar 10 mijë punëtorë të rinj, megjithatë Demokracia.com në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar ka vërejtur se sipas Administratës Tatimore, në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 janë deklaruar 2 mijë e 762 punëtorë të rinj.

Po ashtu, gjatë këtij viti nuk ka pasur asnjë investim të madh që mund të ketë sjellë rritjen ekonomike që po e pretendon ekzekutivi kosovar.

Hekuran Murati, ministër i Financave, kishte deklaruar se gjatë këtij viti janë punësuar 22 mijë persona, por pa asnjë statistikë apo dokument që e vërteton këtë.