Ballkani Perëndimor, BEI vazhdon të investojë në sigurinë energjetike

energji
Foto Ilustruese

Banka Europiane e Investimeve (BEI) po vazhdon të investojë në sigurinë energjetike të Ballkanit Perëndimor, duke dhënë një kredi investimi prej 28.9 milionë eurosh, për ndërtimin e seksionit të Maqedonisë së Veriut të interkonektorit të gazit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Ky investim do të ndihmojë në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe sigurinë e furnizimit me energji, duke siguruar zhvillim socio-ekonomik dhe integrim në tregun energjetik rajonal dhe të BE-së. Huaja nga BEI plotëson një grant prej 12.4 milionë eurosh nga Programi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) për asistencë teknike dhe zbatimin e projektit.

Projekti lidhet me ndërtimin e një seksioni të interkonektorit të gazit prej 68 km në Maqedoninë e Veriut, që fillon nga kufiri afër qytetit Gevgelija dhe përfundon në afërsi të qytetit Negotino. Ai është klasifikuar si një projekt me interes të përbashkët nga Komuniteti i Energjisë dhe është një nga investimet kryesore në Planin Ekonomik dhe të Investimeve për furnizimin me energji të rajonit. Projekti përfiton gjithashtu nga asistenca teknike e financuar nga BE, që synon zhvillimin e rrjeteve kryesore të transportit dhe të energjisë në Ballkanin Perëndimor.

Reklama e sponzorizuar

Zëvendëspresidentja e BEI, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, tha: “BEI ka kënaqësinë të mbështesë këtë projekt të BE-së, si pjesë e Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe ai qëndron në thelb të strategjisë kombëtare për energjinë e Maqedonisë së Veriut.

Ai lidhet gjithashtu me angazhimin e mëparshëm të bankës për të rritur sigurinë energjetike në Ballkanin Perëndimor dhe për të ulur varësinë nga një burim i vetëm i furnizimit me gaz. Ai do të mundësojë akses në burime të ndryshme, do të sigurojë furnizim në rast mungesash dhe do të rrisë konkurrencën në treg.

Duke qenë një projekt prioritar për Bashkimin Europian dhe Nismën e Lidhshmërisë Energjetike të Europës Qendrore dhe Juglindore (CESEC), projekti do të ndihmojë rajonin të largohet gradualisht nga qymyri, duke rritur lidhshmërinë dhe duke krijuar kushtet për një treg të përbashkët rajonal, si dhe duke tërhequr investime të reja”.

Ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Besimi, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të BEI për Maqedoninë e Veriut: “Seksioni i Maqedonisë së Veriut në projektin e interkonektorit të gazit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, është një nga projektet me prioritet më të lartë për të dyja vendet, për rajonin, si dhe për Komunitetin e Energjisë, duke u mbështetur nga të gjitha institucionet përkatëse europiane.

Realizimi i këtij projekti do të sigurojë stabilitet në furnizimin me energji, duke kontribuar në rritjen ekonomike në të gjitha rajonet e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Projekti është me rëndësi strategjike për Maqedoninë e Veriut. Zbatimi i projektit do të ndihmojë në sigurimin e rritjes ekonomike të përshpejtuar dhe të qëndrueshme, në standarde më të larta jetese dhe cilësi më të mirë jete për popullin tonë”.