Ritmi i punësimit në Shtetet e Bashkuara u ngadalësua muajin e kaluar, pasi kompanitë e patën të vështirë të punësonin punonjës të rinj dhe vazhduan të përballen me efektet e koronavirusit.
Punëdhënësit punësuan vetëm 199 mijë persona në dhjetor, muaji i dytë me një shifër më të ulët punësimi nga sa pritej.
Megjithatë, shkalla e papunësisë ra ndjeshëm në 3.9% dhe pagat u rritën, tha Departamenti i Punës.
Të dhënat e grumbulluara përpara se të ndihej ndikimi i plotë i Omicron, pasojnë një vit rekord të rritjes së vendeve të punës.
“Për të dytin muaj radhazi, ne përballemi me një pamje kontradiktore,” tha Mark Hamrick, analist i lartë ekonomik në Bankrate.com. “Ky raport duket se pasqyron gjendjen përpara ndikimeve më negative në ekonomi të variantit Omicron.”
“Do të na duhet të presim raportin e ardhshëm, që paraqet tablonë e tregut të punës në janar, për të pasur një pamje më të qartë”, shtoi ai.
SHBA pati një rritje të vendeve të punës me më shumë se 6.4 milionë në vitin 2021, duke rifituar shumë nga pozicionet e humbura në kulmin e pandemisë në vitin 2020.
Megjithëse shifra totale e punësimit mbetet rreth 3.6 milionë më e ulët se niveli para pandemisë – dhe shumë më e ulët nga sa do të kishte qenë nëse ekonomia nuk do të ishte goditur fare nga Covid – ka shumë shenja që tregojnë forcimin e ekonomisë.
Shifra rekord prej plot 4.5 milionë amerikanësh që dhanë dorëheqjen nga vendet e tyre të punës në muajin nëntor, tregon një shenjë besimi në tregun e punës. Qeveria njoftoi këtë javë se më shumë se 10 milionë pozicione vazhdojnë të jenë të lira. Papunësia ka rënë në nivelin më të ulët të 50 viteve.
Rritja e punësimit gjatë muajit dhjetor u vu re në shumicën e industrive, ku dalluan ajo e argëtimit dhe e mikpritjes. Shkalla e papunësisë ra në 3.9% nga 4.2%, ndërsa të ardhurat mesatare për orë pune u rritën me 4.7% nga viti në vit.
Presidenti i SHBA, Joe Biden, i quajti shifrat si “historike”, duke thënë se ato reflektonin një ekonomi që po rimëkëmbet falë sasisë së madhe të shpenzimeve të qeverisë nga administrata e tij.
Ekonomistja e Wells Fargo, Sarah House, tha se rritja ekonomike do të përcaktohet nga disponueshmëria e punonjësve.
“Raporti i dhjetorit nënvizoi se punonjësit ka të ngjarë të kthehen përsëri në tregun e punës, sepse arsyet për të qëndruar jashtë këtij tregu, të tilla si kursimet, shqetësimet për shëndetin dhe problemet që lidhen me përkujdesjen për fëmijët, nuk zgjidhen menjëherë,” tha ajo.
Mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që inflacioni në SHBA të rritet në shkallën më të lartë në pothuajse 40 vjet.
Në përgjigje të kësaj situate, banka qendrore e Amerikës ka sinjalizuar se po planifikon të fillojë me heqjen e masave mbështetëse për ekonominë, duke rritur potencialisht normat e interesit që në muajin mars.
Por, shfaqja e variantit Omicron ka komplikuar perspektivën për ekonominë.
Virusi ka qenë një ndër shkaktarët e mungesave të shumta të punonjësve në vendin e punës gjatë javëve të fundit, duke shkaktuar anulimin e mijëra fluturimeve, mbylljen e distrikteve kryesore të shkollave dhe vështirësi në spitale, në sistemin e transportit dhe në biznese të tjera./ BBC