Bordi i ZRRE-së i cakton KEK-ut mundësinë e fundit me furnizim deri në 6 muaj

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur seancën e tij të dytë për këtë vit.

Në këtë seancë, pas shqyrtimit, Bordi i ZRRE ka miratuar Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike për vitin 2022.

Qëllimi kryesor i miratimit të Bilancit Vjetor të Energjisë Elektrike është që të projektojë përmbushjen e nevojave të konsumatorëve me energji elektrike, në sasi të mjaftueshme gjatë vitit, duke angazhuar kapacitetet e prodhimit dhe importit të energjisë elektrike. Po ashtu në këtë seancë, Bordi ka miratuar edhe Bilancet Vjetore të Energjisë Termike për ndërmarrjet NQ Termokos dhe NQ Gjakova.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë seancë, Bordi i ZRRE-së, ka caktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në kuadër të Licencës për Furnizim, që të ushtrojë përkohësisht, por jo me gjatë se gjashtë (6) muaj funksionin e furnizuesit të mundësisë së fundit, periudhë kjo brenda të cilës do të zhvillohet tenderi i ri.

Ndër të tjera Bordi i ZRRE-së, ka shqyrtuar edhe aplikacionin tarifor të NQ Gjakova për sezonin 2021/2022.

Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE www.ero-ks.org ./RTKLIVE/