Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka raportuar sot para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), gjatë raportimit hyrës në këtë mbledhje tha se shteti i Kosovës ka importuar energji elektrike me çmim tetë herë më të lartë gjatë katër viteve të fundit, kurse gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar (2021) veqse është arritur piku maksimal i konsumit ditor të energjisë që ka ndodhur ndonjëherë në vend.
“Me kapacitet ekzistuese, prej 1,300MWh ka kaluar në 2,400MWh në periudhën e dimrit, në muajin dhjetor, e që është piku maksimal jo vetëm që nga paslufta, ky është piku maksimal që është arritur në Kosovë. Diferenca e kësaj sasie të energjisë është dashur të importohet me çmim nga 7 here deri në 8 herë më lartë me çmimet e importit në katër vitet e kaluara, e mos të flasim që çmimet e gjenerimit janë 10 herë më të shtrenjta se ai i çmimit vendor”, u shpreh Fejzullahu.
Ky i fundit, gjithashtu shtoi se kriza energjetike që e ka përfshirë gjithë Evropën, ka shtruar nevojën e domosdoshmë për shqyrtimin e tarifave urgjentisht.
Fejzullahu ka shtuar se çmimet e larta të importit të energjisë janë të pamundura të përballohen, duke e përmendur edhe prishjen në termocentralin Kosova B në muajin dhjetor të vitit 2021, që sipas tij, ka shkaktuar miliona euro shpenzime për energjinë e importuar.
Sipas tij, kostoja ditore e mungesës së prodhimit të njësisë së dëmtuar në tremocentralin Kosova B, ka qenë rreth 1.5 milionë euro me çmimin e tregut, duke treguar se ky fakt e ka detyruar ZRRE-në që ta hapë shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave.
“Kosto ditore e mungesës së këtij gjeneratori ka qenë rreth 1.5 milion euro me çmimin e tregut. Prandaj ZRRE-ja ka qenë e obliguar që të hapë shqyrtimin e jashtëzakonshëm”, ka treguar Fejzullahu.
Kryesuesi i Bordit të ZRR-së, tha tutje se ideja që Kosova prodhon energji të mjaftueshme për nevojat e veta, nuk është e vërtetë, pasi që në realitet viteve të fundit, vendi ka filluar të varet më shumë nga importi. Kurse, njërën prej arsyeve se pse është rritur varësia nga importi i energjisë, Fejzullahu tha se për këtë është fajtore ndryshimi i strukturës tarifore në vitin 2017.
“Ne të gjithë mendojmë që prodhojmë energji për nevojat tona, por në realitet – edhe pse deri tani kemi qenë shumë pak të varur nga importi – disa vite të fundit, kjo varësi nga importi është rritur”, tha ai.
Ai ka thënë se maksimumi i kapaciteteve vendore për t’i shërbyer konsumatorët me energji elektrike është 600 kWh, kurse pjesa tjetër duhet të importohet.
“Maksimumi i kapaciteteve vendore për të shërbyer është 600 kWh orë për muaj. Në bazë të këtij vlerësimi kemi propozuar edhe pragun për 600 kW orë për konsumatorët. Pjesa tjetër duhet të importohet, ajo që duhet të importohet duhet të reflektohet edhe kostoja që është 5-6 fish më shtrenjtë. 70 për qind e konsumatorëve nuk konsumojnë energji për ngrohje, për këtë arsye kemi thënë që ky është pragu ndërmjet energjisë që prodhohet në vend dhe asaj qe duhet të importohet. 30 për qind e konsumatorëve shkojnë më lartë dhe sigurisht nuk kanë alternativë tjetër prandaj duhet të ngrihen me energji. Është e padrejtë që t’i alokohet ajo kosto kësaj kategorie të konsumatorëve”, është shprehur Fejzullahu.
Ndërsa, sa i përket subvencionimit të energjisë me 75 milionë euro nga Qeveria, ai tha se çmimet aktuale të rrymës mund të jenë të papërballueshme për një pjesë të konsumatorëve, dhe për këtë arsye kanë kërkuar nga Qeveria t’i mbështesë disa kategori që nuk mund ta paguajnë rrymën.
“Këto çmime, edhe këto ekzistuese për një kategori të konsumatorëve janë të papërballueshme. Ne kemi qenë të zëshëm. Kam kërkuar edhe vitet e kaluara që të mbështeten konsumatorët që janë rastet sociale. Nuk janë vetëm rastet sociale që duhet të mbështeten, por edhe konsumatorët e cenueshëm që nuk e përballojnë faturën e energjisë elektrike”, shpjegoi ai.
Kujtojmë se propozimi i ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë elektrike të prezatuar në një raport konsultativ që është në diskutim publik, kërkon që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 9% për komponentën e energjisë të tarifave për konsumatorët biznesorë dhe për nivelin e konsumit deri në 600 kWh të konsumatorëve shtëpiak.
Kurse, niveli i konsumit mbi 600 kWh, që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, do të furnizohet me tarifë prej 0.21 eur/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 eur/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët. Sipas këtij propozimi, fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritet për €2.29 në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06€ në muaj. Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kWh rritet për €26.98, ndërsa për konsum mujor prej 1000 kWh me €50.89.
Megjithatë, Ministria e Ekonomisë është zotuar se ka alokuar 75 milionë €, për të zbutur ndikimin në tarifat e energjisë elektrike në këtë vit për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, subvencione këto që parashohin që tarifa për konsumatorët biznesorë të mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiakë deri në konsumin prej 600 kWh të mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa për konsumatorët shtëpiakë për konsumin mbi 600 kWh, të reduktohet nga 0.21 eur/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë nw 0.14eur/ kWh, dhe 0.09 eur/kWh për energjinë e konsumuar jashtë saj, në 0.06 eur/kWh. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/