Sektori bankar në Kosovë deri në shtator të vitit 2021 realizoi fitim neto në vlerë prej 90.1 milionë euro, e që është për 32.9 milionë euro më i lartë krahasuar me periudhën njëjtë të vitit paraprak. Ky fitim rekord i bankave në kohë pandemie, ka dy arsye kryesore, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
“Fitimi më i lartë i realizuar këtë periudhë reflekton ecurinë e të hyrave (të cilat u rritën për 14.8 përqind) dhe shpenzimeve (të cilat u zvogëluan për 1.5 përqind). Në kuadër të hyrave, të hyrat nga interesi janë kategoria me peshën më të madhe (69.9 përqind) dhe shënuan rritje vjetore prej 5.1 përqind, rritje kryesisht e atribuar të ardhurave nga interesi në kredi”, thuhet në raportin e BQK-së mbi vlerësimin tremujor të ekonomisë.
Ndërkaq, si arsye të dytë, BQK jep rritjen e të hyrave nga jointeresi, përkatësisht të hyrat që vijnë nga tarifat e shërbimeve.
Në raport, BQK madje pranon se bankat kanë shtrenjtuar ndjeshëm shërbimet, në vitet e fundit. “Të hyrat nga jointeresi që kanë peshë më të ulët në gjithsej të hyrat e sektorit (27.0 përqind) kishin kontributin më të lartë në rritje të të ardhurave të sektorit, pasi që shënuan rritje për 37.3 përqind.
Nënkategoria e cila shënoi rritjen më të lartë ishte ajo e tarifave dhe komisioneve, e që reflekton rritjen e kostos për ofrimin e shërbimeve bankare”, thuhet në raportin e BQK-së. /Buletini Ekonomik/