FMN ul parashikimin për rritjen e ekonomisë globale në 4.4% në 2022

Fondi Monetar Ndërkombëtar- FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur parashikimin për rritjen e ekonomisë globale për këtë vit pasi rastet në rritje të Covid-19, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe inflacioni më i lartë pengojnë rimëkëmbjen ekonomike.

Në raportin e fundit të Perspektivës Ekonomike Botërore, FMN tha se pret që produkti i brendshëm bruto global të bie në 4.4% në 2022 nga 5.9% që ishte vlerësuar më parë, në parashikimin e muajit tetor të vitit të kaluar.

Perspektiva e rishikuar udhëhiqet nga zbehjet e rritjes në dy ekonomitë më të mëdha të botës, Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Reklama e sponzorizuar

Ekonomia amerikane pritet të rritet me 4.0% në vitin 2022, 1.2 pikë përqindjeje më e ulët se sa ishte parashikuar më parë, ndërsa Rezerva Federale po lëviz për të tërhequr stimulin e saj monetar, edhe pse ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit rëndojnë mbi ekonominë.

Ndërkohë, Kina parashikohet të rritet me 4.8% këtë vit, 0.8 pikë përqindje më poshtë nga vlerësimet e mëparshme mes ndërprerjeve të shkaktuara nga politika e saj zero-Covid, si dhe “stresi i parashikuar financiar” midis zhvilluesve të saj të pronave.

Nga ana tjetër rastet në rritje të koronavirusit së bashku me rritjen e inflacionit dhe çmimet më të larta të energjisë ndikuan në vlerësimet e rritjes globale, veçanërisht në Brazil, Kanada dhe Meksikë.

FMN tha se inflacioni më i lartë do të qëndrojë më gjatë se ishte parashikuar më parë, ndërsa shtoi se do të lehtësohet më vonë gjatë këtij viti.

Raporti përmirësoi parashikimin e tij të rritjes për vitin 2023 me 0.2 pikë përqindjeje në 3.8%. Sidoqoftë, ai paralajmëroi se vlerësimi përjashton shfaqjen e një varianti të ri Covid dhe tha se çdo rishikim do të varet nga aksesi i barabartë global ndaj vaksinave dhe kujdesit shëndetësor./ CNBC/Monitor/