Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar i ka bërë sot thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në kufi, pasi një gjë e tillë po e pengon qarkullimin e lirë të qytetarëve në rajon dhe po e dëmton edhe më shumë sektorin e gastronomisë.
Në këtë vendim, i cili ka hyrë në fuqi më 22 janar 2022, ndër të tjera, përfshihen masat e reja mbi hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Kosova, duke vendosur kusht certifikatën e vaksinimit me tre doza kundër COVID-19 ose certifikatën e vaksinimit me dy doza kundër COVID-19 bashkë me testin RT-PCR negative jo më herët se 48 orë para nisjes. Gjithashtu është vendosur kufizim orari për lejimin e aktivitetit të gjithë gastronomisë në Kosovë deri në orën 21:00.
“Masat e vendosura për hyrjet dhe daljet e qytetarëve në Kosovë vështirësojnë dukshëm lirinë e lëvizjes, pasi një pjesë e madhe e qytetarëve nuk mund ta marrin dozën e tretë duke qenë se nuk ka kaluar kohë mjaftueshëm nga doza e dytë (6 muaj) dhe kryerja e testit të RT-PCR i ngarkon me një kosto shtesë financiare të gjithë qytetarët, sidomos ata që kanë hyrje-dalje të shpeshta me Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar konsideron se masa për kufizimin e orarit për lejimin e aktivitetit të gastronomisë deri në orën 21:00 rëndon edhe më shumë këtë sektor dhe ndikon në uljen e shitjeve duke cenuar rëndë bizneset në këtë sektor.
“Referuar Organizatës Botëror të Tregtisë ku përcakton se, rimëkëmbja do të jetë më e shpejtë, nëse vendet i mbajnë tregjet e hapura, nuk vendosin barriera dhe veprojnë së bashku, faktit konkret ku vendet e mëdha të Evropës si Anglia, Franca, Spanja tashmë po i lehtësojnë masat kufizuese në vendet e tyre si dhe rekomandimit të fundit të Organizatë Botërore të Shëndetësisë ku shprehet qartë se ndalimet ndërkombëtare të udhëtimit duhet të lehtësohen ose të hiqen krejtësisht, ky vendim i Qeverisë së Kosovës, në këto kohë, nuk sjell gjë tjetër veçse pengon lirinë e lëvizjes dhe tregtisë së lirë”, thuhet në komunikatë.