Instituti GAP ka publikuar sot raportin e tij për “Rritjen e çmimeve në Kosovë dhe masat e mundshme për përballimin e inflacionit”, në të cilin kërkohet rritja e pagës minimale për punëtorët në Kosovë dhe intensifikimi i monitorimit të tregjeve për marrëveshjet e fshehta mes tregtarëve.
Sipas këtij instituti, rritja e zhvillimit ekonomik që u shënua gjatë vitit 2021 në Kosovë ishte si rrjedhojë e rritjes së kërkesës së brendshme, pakove fiskale për rimëkëmbje ekonomike, si dhe mbështetjes nga diaspora.
GAP, si një prej stimuluesve kryesor të konsumit, i përmend remitencat, të cilat deri në tetor të vitit 2021, shënuan rritje vjetore prej 20 përqind, duke arritur vlerën e 956 milionë euro për periudhën janar – tetor 2021. Kurse, stimuluesi tjetër i rritjes së ekonomisë, sipas tyre, ishte padyshim eksporti i mallrave, i cili deri në tetor 2021 arriti vlerën prej 613.9 milionë euro, dukshëm më i lartë se eksporti në vitin 2019 dhe 2020 që ishte 383.5 milionë euro dhe 474.9 milionë euro respektivisht.
Raporti i GAP vlerëson se me rritjen e aktivitetit ekonomik në Kosovë, ngjashëm me vendet tjera, më 2021 është vërejtur edhe një rritje në nivelin e çmimeve. Duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, raporti tregon se gjatë vitit 2021 ka pasur rritje të çmimeve të konsumit, çmimeve të prodhimit, çmimeve të importit si dhe rritje të kostos së ndërtimit.
Sipas të dhënave të paraqitura në këtë raport të GAP-it, gjatë vitit 2021, përveç rritjes së indeksit të çmimeve të konsumit prej 3.1 përqind, vërehet rritje edhe indeksin e çmimeve të prodhimit me 4.2 përqind, në indeksin e çmimeve të importit me 8.3 përqind, dhe atë të kostos së ndërtimit me 10.9 përqind, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkohë, nga GAP thonë se nëse analizohet niveli i pagave në Kosovë, vërehet se tek paga mesatare neto ka pasur ndryshime përgjatë viteve, ndërsa paga minimale ka qëndruar në nivel të njëjtë. PRa, për vite me radhë, paga minimale e punëtorëve në Kosovë nuk është ndryshuar.
Prandaj, Instituti GAP jep rekomandimin për rritjen e pagës minimale, si njërën prej zgjidhjeve të mundshme për zbutjen e efektit të rritjes së çmimeve dhe inflacionit të lartë.
Por, përveç pagës minimale, ata rekomandojnë edhe rritjen e pagesave për përfituesit e skemave sociale, dhe intensifikimin e monitorimit të tregjeve për ‘marrëveshjet e fshehura’ nga ana e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK). /Buletini Ekonomik/