Gara globale e 5G-së, Bashkimi Europian po nxitet të përshpejtojë ritmin

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po përballen me problemet që ka shkaktuar në linjat ajrore përhapja e rrjetit 5G, një organ mbikëqyrës në Bashkimin Europian paralajmëroi të hënën se BE-ja përballet me kërcënime shumë më të mëdha ekonomike dhe të sigurisë nëse vendet anëtare nuk rrisin bashkëpunimin në këtë fushë.

Këmbanat e alarmit janë përfshirë në një raport të posaçëm që lidhet me përgatitjet e bllokut me 27 vende për teknologjinë 5G, gjeneratën e pestë të komunikimeve wireless. 5G parashikohet të sjellë një epokë të re dixhitale – me risi më të mëdha teknologjike, por edhe me dobësi.

Studimi i Gjykatës Europiane të Audituesve ka bërë një thirrje të dyfishtë: e para, Europa po mbetet prapa Amerikës së Veriut dhe Azisë në përhapjen e rrjeteve 5G dhe e dyta, BE-ja duhet të forcojë strategjinë e saj për të luftuar rreziqet e sigurisë kombëtare që vijnë me këtë teknologji.

Reklama e sponzorizuar

“Ka vonesa të konsiderueshme në vendosjen e rrjeteve 5G nga shtetet anëtare dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme për të adresuar çështjet e sigurisë në vendosjen e rrjeteve 5G,” tha Gjykata Europiane e Audituesve, me qendër në Luksemburg, në vlerësimin e saj prej 69 faqesh.

Në SHBA, fillimi i shërbimeve të telekomunikacionit 5G ka bërë që linjat ajrore të ankohen për interferencat e mundshme në instrumentet e navigimit të avionëve dhe për ndërprerjen e udhëtimeve ajrore.

Bota po nxiton të instalojë infrastrukturën 5G për shkak të kapacitetit më të lartë të të dhënave dhe të shpejtësisë së rritur të transmetimit, të cilat mund të transformojnë gjithçka, që nga drejtimi i makinave e deri te transmetimet sportive dhe prodhimi i mallrave.

Në këtë garë me rëndësi të madhe ekonomike, vendet e BE-së po ecin shumë ngadalë për shkak se kanë dështuar të bëjnë gjëra të tilla si caktimi i spektrit të radios për shërbimet 5G.

Gjykata Europiane e Audituesve tha se shumica e shteteve anëtare të bllokut nuk do të mund të arrijnë objektivin e përbashkët të parashikuar për t’u përmbushur në vitin 2025, kur ata supozohet të sigurojnë mbulim të pandërprerë 5G në zonat urbane dhe përgjatë rrugëve kryesore të transportit.

Deri nga mesi i dekadës, vetëm 35% e të gjitha lidhjeve celulare në Europë do të bazohen në teknologjinë 5G, krahasuar me 51% në Amerikën e Veriut dhe 53% në Australi, Japoni, Singapor dhe Korenë e Jugut, sipas një studimi të industrisë së telekomunikacionit të cituar nga Gjykata Europiane e Audituesve. Shifra e parashikuar për vitin 2025 për Kinën, Hong Kongun, Macaun dhe Tajvanin është 48%.

Si rezultat, shumica e vendeve të BE-së mund të dështojnë gjithashtu në arritjen e një qëllimi të përbashkët edhe më ambicioz për vitin 2030: mundësimin e shërbimeve 5G për të gjitha segmentet e popullsisë.

“Ekziston një rrezik i lartë që afati i vitit 2025 – dhe për rrjedhojë edhe ai i vitit 2030 për mbulimin e të gjitha zonave të populluara – të mos mund të arrihet nga shumica e shteteve anëtare,” tha Gjykata Europiane e Audituesve.

Përfitimet ekonomike të humbura për BE-në mund të jenë të mëdha. 5G pritet të sjellë rritje eksponenciale të konsumit të të dhënave në një hapësirë të përbashkët si ajo e BE-së, ku shërbimet përbëjnë rreth 70% të prodhimit të brendshëm bruto.

Duke cituar një studim të veçantë të industrisë së teknologjisë, Gjykata Europiane e Audituesve tregoi se 5G mund të shtojë deri në 1 trilion euro në ekonominë europiane dhe të krijojë ose të  transformojë 2 milionë vende pune midis viteve 2021 dhe 2025./ Associated Press/Monitor/