Hungaria kufizon çmimet e produkteve elementare, duhet të kthehen në nivelin e mëparshëm

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka njoftuar për kufizimin e çmimeve të gjashtë grupeve të prodhimeve elementare ushqimore nga 1 shkurti me qëllim të luftimit të inflacionit para zgjedhjeve të pranverës.

Orbani tha përmes një deklarate në faqen e tij në Facebook të mërkurën se kjo masë do t’i prekë çmimet e sheqerit, miellit, vajit ushqimor, këmbët e derrave, gjoksin e pulës dhe qumështin, shkruan Free Europe, përcjell Gazeta Express.

Çmimet e këtyre produkteve duhet të kthehen në nivelin e 15 tetorit në secilin dyqan, tha kryeministri hungarez.

Reklama e sponzorizuar

Ky vendim u mor në kohën kur në mbarë Evropën po shënohet rritje e inflacionit. Shkalla e inflacionit në Hungari shkoi në 7.4 për qind në nëntor të vitit të kaluar.

Politikani nacionalist, që është në pushtet nga viti 2010, përballet me një sfidë serioze, pasi partitë opozitare janë marrë vesh që të bashkohen prapa një kandidati në zgjedhjet e përgjithshme të 3 prillit.

Sipas anketave të fundit, partia në pushtet do të përballet me garë të ngushtë me kandidatin e përbashkët të opozitës për kryeministër, Peter Marki-Zay.