Instituti për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP) sot në një konferencë për media ka propozuar strukturë prej tri blloqe tarifash për çmimin e energjisë elektrike.
Sipas tyre, ndarja e tarifave që duhet të bëhet është për ata që shpenzojnë nën 600 kilovatë në muaj, ata nga 600 deri në 1200 kilovatë në muaj dhe ata të fundit me mbi 1200 kilovatë në muaj.
“Konsumatorët që do të shpenzonin deri 600kWh në muaj, rritja e çmimit do të ishte 5.5 për qind, për ata deri 1,200kWh për 70 për qind e ata mbi 1,200kWh rritje prej 80 për qind të çmimit. Ky propozim është më i ulët sesa ajo që ka propozuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë”, thuhet nw propozimin e INDEP.
Ata tutje kanë bërë të ditur se këto propozime do t’i dërgojnë si komente me shkrim edhe në ZRRE.
Udhëheqwsi i hulumtimeve në INDEP, Liron Gjocaj, ka thënë se me propozimin që qytetarët që konsumojnë deri 600KW në muaj energji, të mos kenë shtrenjtim të çmimit të rrymës, do të bënte që të ketë ulje të interesit për masat e efiçiencës, ndonëse një ngritje e çmimit në këso bllok-tarifa, siç thotë ai do të nxiste përpjekjet e qytetarëve për kursim.
Tutje edhe udhëheqës i hulumtimeve në INDEP, Dardan Abazi, shtoi se propozimi aktual i ZRRE-së është i papranueshëm.
Ndonëse ata gjithashtu thanë se e përkrahin rritjen e çmimit të tarifave të energjisë, por s’pajtohen me përqindjen e propozuar nga ZRRE-ja.
Propozimi i INDEP-it:
- Tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 5.5% për të gjithë konsumatorët, përfshirë konsumatorët komercial.
- Të rikthehet struktura tarifore me blloqe për konsumatorët e amvisërisë, ku ndarja do të bëhet në tre nivele të konsumit të energjisë elektrike, deri në 600 kWh në muaj, nga 600 deri në 1,200 kWh në muaj dhe mbi 1,200 kWh në muaj.
- Për nivelin e konsumit deri në 600 kWh në muaj energji elektrike, të aplikohen tarifat prej 0.0712 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.0304 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 5.5% më të larta se tarifat aktuale.
- Për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit prej 600 kWh në muaj, të aplikohen tarifat prej 0.121 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.051 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 70% më të larta se tarifat e bllokut të parë.
- Për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit prej 1,200 kWh në muaj, të aplikohen tarifat prej 0.217 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.091 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 80% më të larta se tarifat e bllokut të dytë./Buletini Ekonomik/