Viti 2021 në Kosovë shquhet si viti me ngritjen më të lartë të çmimeve të produkteve esenciale.
Si indeks i tërësishëm vjetor, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës bëjnë me dije se çmimet e konsumit më 2021 ishin për 3.4 për qind më të larta sesa produktet e njëjta në vitin 2020, përcjell Buletini Ekonomik.
Produktet që ishin shtrenjtuar më së shumti në këtë krahasim vitesh janë: buka dhe drithërat që u rritën për 4,3% në krahasim me vitin 2020, mishi me 1,4%, qumështi, djathi dhe vezët me 3,8%, vajrat dhe yndyrat me rritje rekorde prej 22,9%, perimet 4,1%, sheqeri dhe ëmbëlsirat 2,2%, kafja, çaji dhe kakao 2,4%, uji, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 0,9%, pijet alkoolike 2,7% dhe duhani për 3,7%.
Po ashtu, rritje çmimesh më 2021 kishin shënuar edhe gazi për 8,7%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, peleti me 5,9%, mobiljet dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje 1,4%, pajisjet shtëpiake 3,1%, produktet farmaceutike 2,3%, blerja e automjeteve 1,3%, pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal 1,7%, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal po ashtu me një rritje rekorde prej 17,6%, mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit 5,3%, shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit 4,1%, shërbimet për transport 2,0%, shërbimet telefonike dhe të telefaksit me një rritje të lartë prej 18,4%, dhe pajisjet audiovizuale, fotografike për përpunimin e informatave 2,7%.
Ndërsa, sa i përket pushimeve dhe shërbimeve hoteliere, çmimet u rritën si në vazhdim: pushimet e organizuara u rritën për 4,3%, shërbimet hoteliere 1,8%, kujdesi personal 1,5%, si dhe shërbimet financiare me 4,7%.
Ndërkohë, rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2021 është vërejtur vetëm tek nëngrupet e COICOP-it: pemët rënie kjo për -9,3%, dhe energjia elektrike prej -4,3%, që sipas ASK-së, ulja e çmimit për këtë kategori ishte për arsye se në periudhën janar – maj 2021, ishte për 0,0061 cent për 1kËh më e lirë energjia sipas Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike Covid -19 Nr. 07/L-016 neni 15.
Tutje, në një krahasim tjetër mes dhjetorit të vitit 2021 dhe dhjetorit të vitit 2020, inflacioni mujor i matur nga ASK-ja ishte për 6.7 për qind më i lartë më 2021.
Në këtë periudhë, rritje të lartë kishte shënuar buka dhe drithërat me çmim të rritur për 14,4%, mishi për 6,2%, qumështi, djathi dhe vezët 6,8%, vajrat dhe yndyrat ushqimore 32,7%, perimet 11,5%, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 9,4%.
Ndërsa, për një muaj, në Kosovë, pra nëntor 2021- dhjetor 2021, inflacioni mujor apo Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, u shpreh në një përqindje më të lartë për 0,5%.
Për një muaj në Kosovë, u rritën çmimet e bukës dhe drithërave për 0,9%, mishi me 1,1%, vajrat dhe yndyrat ushqimore sërish me 2,4%, perimet 4,2%, kafja, çaji dhe kakao 2,0%, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 1,0%, duhani 2,9%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 2,1%, blerja e automjeteve 0,5%, shërbimet hoteliere 1,5%, dhe kujdesi personal me 1,1%.
Kurse, rënie e çmimeve është vërjetur prap te pemët -2,7%, te veshjet -1,6%, dhe tek karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal me -2,8%. (M. Shabani) /Buletini Ekonomik/