Kina ul normat e interesit pas ngadalësimit të rritjes ekonomike

Kina ka ulur normat e interesit për herë të parë në gati dy vjet, pasi të dhënat zyrtare kanë treguar për ritme të ngadalshme të rritjes ekonomike.

Për të ndihmuar në nxitjen e ekonomisë, Banka Popullore e Kinës ka thënë se do të ulë normën e interesit për kreditë njëvjeçare në 2.85 për qind.

Bruto-prodhimi i brendshëm (GDP) është rritur për 4 për qind në tre muajt e fundit të vitit 2021 në krahasim me një vit më herët, ka thënë Byroja Kombëtare e Statistikave.

Reklama e sponzorizuar

Ky rezultat ka qenë shumë më i mirë sesa parashikimet e disa ekonomistëve, mirëpo rritja ka qenë shumë më e ngadalshme sesa çereku paraprak.

Një tjetër shenjë e trendeve në ulje ka qenë edhe ajo e rënies së shitjeve me pakicë për 1.7 për qind.

Sa i përket gjithë vitit, të dhënat zyrtare kanë treguar se ekonomia e Kinës është rritur për 8.1 për qind, duke tejkaluar edhe pritjet e ekonomistëve dhe synimeve të Pekinit për rritje rreth 6 për qind.

Veprimet e Kinës për ulje të normave të interesit e vendosin atë anash vendimeve të bankave të mëdha qendrore në botë.

Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se planifikojnë të rrisin normat e interesit tri herë këtë vit.

Në Mbretëri të Bashkuar, Banka e Anglisë ka rritur normat e interesit muajin e kaluar, për herë të parë në më shumë se tri vjet, me qëllim të luftimit të rritjes së çmimeve.