Ministria e Bujqësisë ka njoftuar qytetarët se Projekt Koncept Dokumenti për Institutin Bujqësor të Kosovës gjendet në diskutim publik deri nesër, më datë 12 janar 2022.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Bujqësisë, ky koncept dokument e përcakton organizimin e Institutit Bujqësor të Kosovës në nivel të Institutit Publik Kërkimor e Shkencor për trajtim dhe hulumtim të çështjeve të sektorëve të bujqësisë, sigurisë ushqimore dhe ruajtjes se ambientit, përcjell Buletini Ekonomik.
Tutje, përmes një njoftimi në facebook, nga kjo ministri iu është bërë thirrje të gjithë qytetarëve që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë koncept dokument, që sugjerimet dhe komentet e tyre t’i dërgojnë në adresat përkatëse, tek personat përgjegjës të ekipit për hartimin e këtij projekt-dokumenti, që janë Fehmi Geci dhe Bekri Xhemaili.
“Komentet dhe sugjerimet e juaja, mund t’i dërgoni deri me datën 12.01.2022 në ora 16:00, tek zyrtarët: fehmi.geci@rks-gov.net dhe bekri.xhemaili@rks-gov.net”, njoftojnë nga ministria.
Në njërën prej pikave në koncept-dokument, thuhet se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Koncept Dokumentit për Institutin Bujqësor të Kosovës (konform modelit të organizimit të Institutit Bujqësor të Sllovenisë në Lubjanë), synon që përmes ligjit të riorganizojë Institutin Bujqësor të Kosovës, në nivel të Institutit Kërkimor dhe Aplikativ të Pavarur në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, i cili sipas tyre, do të garantonte realizimin e përgjegjësive ministrore përmes argumentimit shkencor dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare të BE-së, për hartimin dhe implementimin e politikave, legjislacionit dhe strategjive kombëtare, për zhvillimin e qëndrueshëm sektorial të bujqësisë, blegtorisë, sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e ambientit kultivues.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural gjithashtu më Koncept Dokumentin për Institutin Bujqësor të Kosovës synon të krijon Institutin Kërkimor dhe Aplikativ më kompetencë profesionale e shkencore, për trajtimin e çështje sektoriale, të cilat janë të përkufizuara më akte normative vendore dhe ndërkombëtar të BE-së.
Tutje, nga Ministria e Bujqësisë në projekt shkruajnë edhe se “Instituti Bujqësor i Kosovës përkundër traditës 70 vjeçare të punës profesionale dhe shkencore, aktualisht trajtohet si institucion i shërbimit civil, me ç ‘rast pengon zhvillimin e konkurrencës për avancimin e vazhdueshëm të kompetencës profesionale dhe shkencore, si dhe pengon zbatimin kritereve të standardeve ndërkombëtare dhe metodologjive shkencore në fushën e hulumtimit dhe zbatimit tekniko teknologjik”. /Buletini Ekonomik/