Kosovarët në pritje të vendimit të ZRRE-së: A do të ndodhë “merre ose leje”, apo vendimi meritor

Mehmet Gjata

Kosovarëve u  mbetët për të parë së shpejti se a do të jetë “merre ose leje”, apo “finale dhe fatale”. Siç sinjalizohet nga zhvillimet rreth çmimit të rrymës, që pos karakterit social dhe ekonomik, te  ne ka marrë edhe më shumë konotacion politik, druhet që do të ndodhë vendimi: “merre ose leje”, pra do të ngritet çmimi sic ka propozuar ZRRE-ja, gjithsesi në nën presion disa javor të politikës dhe të furnizuesit e të shpërndarësit të energjisë elektrike

Mehmet GJATA

E hënë, 31 janar 2022,  përfundon afati për të dhënë komente për raportin konsultativ që paraqet qëndrimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ristrukturimin e tarifave të propozuara dhe të kërkuara nga zyrtarët e shtetit dhe  pronarët e furnizimit dhe të shpërndarjes së energjisë elketrike.

Reklama e sponzorizuar

Megjithëse, ishte paraparë që ky afat të përfundonte në fund të javës së kaluar, ZRRE-ja kishte vendosur ta shtynte duke marrë parasysh interesimin e palëve të interesit për të ofruar komente.

Deri më tani sipas ZRRE-së janë pranuar komente nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO si dhe ka pranuar komente nga konsumatorët e energjisë elektrike, ku pritet të publikohen gjatë ditëve në vijim.

Edhe kryeministri Albin Kurti ka premtuar se Qeveria e Kosovës do të dërgojë komentet e saj, por nuk është bërë e ditur nëse i kanë dërguar apo do t’i dërgojnë gjatë ditës para përfundimit të afatit.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar raportin konsultativ për shtrenjtimin e energjisë elektrike, e cila është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kuvend, por jo edhe nga ata të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.

Siç dihet propozimi i ZRRE-së është që çmimi i rrymës të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600kËh në muaj, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800kËh ose më shumë, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë prej 75 milionë eurosh. ZRRE-ja propozon që tarifa për konsumatorët me 800kËh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh, ndërsa ata që shpenzojnë 1,000këh do të përballen me rritje prej 24.62 euro.

Kurti duke komentuar raportin e fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka thënë se “deri në ora 10:00 do të ketë mjaftueshëm komente të ZRRE-ja në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme, në këtë krizë energjetike. Nuk është e mundur që mos të kemi as subvencionim, as shtrenjtim e as shkyçje”.

Për krizën energjetike, ai ka akuzuar mosinvestimet dhe mirëmbajtjet gjatë vitet e kaluara në Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Duhet të marrim parasysh sa më shumë faktorë dhe bashkërisht të dalim nga kjo situatë, ku në njërën anë çmimet e energjisë elektrike janë shtrenjtuar shumë në bursat ndërkombëtare energjetike, ndërkaq në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada që kemi pasur zhvatje në KEK dhe jo vetëm dhe mosinvestim në kapacitetet e reja, e mirëmbajtje të atyre ekzistueseve që nuk do të na lejonin të ndodhemi në këtë situatë të rëndë”, është shprehur ai.

Në fund, Kurti ka thënë se “raporti i ZRRE-së nuk është merre ose leje, pra nuk është as finale e as fatale, por është raport që pret komentet dhe shpresoj se pas atyre të kemi një vendim meritor”, përfundoi ai.

Sido që të jetë, kosovarëve u  mbetët për të parë së shpejti se a do të jetë “merre ose leje”, apo “finale dhe fatale”. Siç sinjalizohet nga zhvillimet rreth çmimit të rrymës, që pos karakterit social dhe ekonomik, te  ne ka marrë edhe më shumë konotacion politik, druhet që do të ndodhë vendimi: “merre ose leje”, pra do të ngritet çmimi sic ka propozuar ZRRE-ja, gjithsesi në pën presion disa javor të politikës dhe të KEDS-it e CESCO-s. Prandaj, elokuenca mbresëlënëse e Albin Kurtit, pas vendimit për shtrenjtimin enorm dhe rikthimit të bllok-tarifave si zgjidhja më e keqe e mundshme për krizën elektroenergjetike, vështirë se do ta kenë efektin e pritshëm të tij, të dikastereve qeveritare, por natyrisht edhe të pronarëve të furnizimit dhe shpërndarjes së konsumit të Kosovës me rrymë.

Sepse, pas ngritjes dy-tre fish të çmimit të energjisë dhe të rikthimit të bllok-tarifave famëkeqe, më nuk do të vlejnë akuzat jo të pakëta të shprehura deri më tash se “për krizën energjetike fajin e kanë mosinvestimet dhe mirëmbajtjet gjatë vitet e kaluara në Korporatën Energjetike të Kosovës”. Edhe pse këto akuza qëndrojnë qind për qind dhe as të verbërit politikë, as militantët partiakë nuk mund ta mohojnë faktin se për 20 vjet e sa të pas luftës, për zhvillimin e energjetikës asgjë, ama as një veprim më të voglin, nuk e kanë bërë vendimarrëit dhe pushtetmbajtësit e deritashëm, pra. Dhe kjo gjendje, kryekëput është pasojë e indolencës dhe paaftësisë së tyre për të  ndërtuar strategji elektroenergjetike dhe ndonjë TC të ri, sado që patën mundësi, oferta serioze nga investitorë shumë të respektueshëm dhe shumë kredibil dhe sado që  qymyri i bollshëm dhe në sipërfaqe të tokës thuaja se , vetëm që nuk ua “bënte me sy”.

Ata që dështuan në mëkëmbjen energjetike kanë shkuar dhe nuk janë më. Kurti dhe Qeveria e tij duhet të gjejnë zgjidhje të shpejta dhe të bëjnë ngritje të arsyeshme të çmimit të rrymës. Në  këtë kontekst, në asnjë mënyrë vendimarrësit aktual nuk duhet të bien nën ndikimin e presionit të furnizuesit dhe shpërndarsit, që po shihet nga havaja, synim kanë vetëm ekstra profitin, dhe fundja nuk duhet të alarmohen në përmasat e krizës energjetike, nëse vërtetë ekziston ajo, për të thelluar edhe më gabimet e dështimet.

Edhe pohimet e kryeministrit se “ kemi më shumë se dy dekada që kemi pasur zhvatje në KEK dhe jo vetëm dhe mosinvestim në kapacitetet e reja, e mirëmbajtje të atyre ekzistueseve që nuk do të na lejonin të ndodhemi në këtë situatë të rëndë”, qëndrojnë, gjithsesi. Zyrtarët e KEK-ut as njëherë deri më tash nuk treguan publikisht çka po bëjnë me gjithë ato të hyra që realizojnë nga shitja e energjisë, besa edhe eksporti goxha në sasi të madhe gjatë viteve, nga shitja e qymyrit etj. Nuk treguan as çka u bë me 20 e sa milionë euro të realizuara vetëm gjatë vitit 2020 nga eksporti i rrymës, as me 40 e sa milionët euro të tjerë, të realizuara, po kështu nga eksporti më 2021.

Dhe, pikërisht kur në një farë mënyre ishte e ditur për dështimet e vet KEK-ut dhe strukturave të tij, për “zhvatje dhe mosinvestim në ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe mirëmbajtjen e atyre ekzistuese”, kryeministri sërish e “fut nën sqetullë” dhe e ledhaton mu vet KEK-un, duke ia besuar 20 milionë euro, subvencionin e dedikuar për import të energjisë gjatë ditëve të krizës. Kjo është e vërteta. Po ledhatohet KEK-u, strukturat udhëheqëse të tij, që për të blerë paqen sociale dhe për ta heshtur dështimin evident të tyre kanë investuar parat e realizuara kryesisht  në ngritjen e pagave.

Prandaj, pas komenteve dhe propozimeve të arritura në ZRRE zgjidhje e mirë do të ishte që raporti i ZRRE-së mos të ishte  “merre ose leje”, dhe as “finale e as fatale”, por që të  kemi një vendim meritor. Dhe raporti meritor , nuk janë, gjithsesi rikthimi i bllok-tarifave dhe ngritja enorma e çmimeve, e paparë në këto përmasat e paralajmëruar deri të hënen./Buletini Ekonomik/