Kriza energjetike po dëmton rëndë bizneset në Kosovë

Kriza energjetike në vend u ka sjellë dëme bizneseve në Kosovë. Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, thotë se fitimin e kanë pasur zero ose në minus. Ndërsa, pronari i prodhimit dhe përpunimit të qumështit është shprehur i zhgënjyer nga kjo situatë, duke thënë se produktet e kanë humbur kualitetin pasi që makinat pa energji nuk kanë pasur se si të punojnë.

Kosova po përballet me krizë të furnizimit me energji elektrike për çka dëmet më të mëdha janë duke i pësuar bizneset. Pronari i kompanisë, “Meka”, Burim Piraj, i tha Radio Kosovës se përveç ngritjes së çmimeve të lëndës së parë, kohëve të fundit po përballemi edhe me mungesë të energjisë. Të gjitha këto po na dëmtojnë jashtëzakonisht shumë në të bërit biznes dhe sipas tij, aktualisht janë duke punuar me humbje.

“Ne jemi përballur me ngritje të çmimeve të lëndës së parë, transportit, i cili ka pësuar një ngritje shumë të madhe . Të gjitha këtyre i është bashkangjitur edhe mungesa e energjisë elektrike. Me të vërtetë fitimi për ne ka qenë zero ose minus, për arsye se harxhimet e prodhimit të rrymës me gjeneratorë janë jashtëzakonisht të mëdha dhe kjo na pengon që të jemi konkurrent me produktet e huaja, të cilat i përdorim në Kosovë”, tha Piraj.

Reklama e sponzorizuar

Piraj tha se nëse kjo situatë vazhdon, pasojat do të jenë të mëdha, të cilat do të reflektohen me rënie të punësimit dhe të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve.

“Na ka ndikuar edhe në psikikë dhe material. Kjo po na kthen prapa dhe nuk po mund t’i përballojmë investimet e reja që i kemi ndërmarrë dhe punësimin që po mundohemi ta ofrojmë në muajt që po vijnë”, tha ai.

Edhe  pronari i kompanisë  për përpunim të qumështit “Eurolona”, Milazim Berisha, tha se probleme në furnizim me rrymë ka pasur edhe më herët, por kohëve të fundit është përkeqësuar dhe po u shkakton dëme të  konsiderueshme në biznes.“ Normalisht ka ndikuar shumë në kualitet të produkteve dhe prishje të shpeshtë të makinerive që janë kosto shumë të larta për t’u riparuar, që normalisht i shkakton humbje të mëdha të gjitha bizneseve që kanë veprimtari të tilla. Kemi planifikuar ndryshe  se nëse në bazë të kësaj ecurie ku nuk kemi stabilizim të rrymës vetëm përkeqësim, të kishim njohuri, asnjëri nuk do të kishim investuar në ketë drejtim”, tha Berisha.

Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, konsideron se Kosova tashmë e ka humbur betejën me energjinë.

“E vërtetë shumë e hidhur sepse Kosova e ka humbur betejën me energji elektrike edhe përballë disa OJQ-ve, të cilat në emër të ambientalizmit kanë thithur fonde të shumta për të penguar kapacitetet e reja prodhuese në Kosovë . Derisa në Kosovë krenohen që e kanë dëmtuar projektin e termocentralit “Kosova e Re” dhe kontrata të ndryshme”, tha Gërxhaliu.

Ai tha se në këto kushte, prodhimi vendor e pamundëson konkurrencën në tregun ndërkombëtar. Gërxhaliu kërkoi të gjendet një alternativë që të mbështeten bizneset dhe familjet, për të tejkaluar këtë situatë.