Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ka thënë se kompania KEDS ka qenë institucioni i vetëm i cili ka kërkuar dhe është pajtuar me ndryshimin e strukturës tarifore të energjisë elektrike.
Ymeri ka thënë se edhe me tarifat ekzistuese, janë një kategori e konsumatorëve të cilët e kanë të vështirë t’i përballojnë faturat e rrymës.
“Edhe me tarifat ekzistuese janë një kategori e konsumatorëve të cilët e kanë të vështirë ta përballin faturën. I vetmi institucion që ka kërkuar dhe është pajtuar me ndryshimin e strukturës tarifore është KEDS-i”, ka thënë Fejzullahu.
Tutje, Fejzullahu ka shpjeguar se maksimumi i kapaciteteve vendore për t’i shërbyer konsumatorët me energji elektrike është 600 kWh.
“Maksimumi i kapaciteteve vendore për të shërbyer është 600 kWh orë për muaj. Në bazë të këtij vlerësimi kemi propozuar edhe pragun për 600 kë orë për konsumatorët. Pjesa tjetër duhet të importohet, ajo që duhet të importohet duhet të reflektohet edhe kostoja që është 5-6 fish më shtrenjtë. 70 për qind e konsumatorëve nuk konsumojnë energji për ngrohje, për këtë arsye kemi thënë që ky është pragu ndërmjet energjisë që prodhohet në vend dhe asaj qe duhet të importohet. 30 për qind e konsumatorëve shkojnë më lartë dhe sigurisht nuk kanë alternativë tjetër prandaj duhet të ngrihen me energji. Është e padrejtë që t’i alokohet ajo kosto kësaj kategorie të konsumatorëve”, tha Fejzullahu.