Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme plenare, nuk ka miratuar Projektligjin nr.08/L-101 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.
Kjo pasi shqyrtimi i këtij projektligji nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve për miratim. Nga 88 deputetë të pranishëm në sallë, 75 prej tyre votuan pro marrëveshjes, ndërsa 8 deputetë votuan kundër.
Derisa dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, ofruan mbështetje në miratimin e këtij projektligji, Lidhja Demokratike e Kosvës u shpreh kundër, duke thënë se grupi parlamentar i kësaj partie nuk do ta mbështesë marrëveshjen në fjalë.
Sipas LDK-së, të merret kredi për pagesë të skemave sociale, kjo nuk ka ndodhur që nga viti 2008 në Kosovë, përcjell Buletini Ekonomik.
“Të merret kredi për pagesë të skemave sociale, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që nga 2008 që Qeveria të marrë kredi për të kryer pagesat e skemave sociale. Çfarë shteti jemi ne që nuk arrijmë me të hyrat që mbledhim të paguajmë skemat sociale? Ju keni qenë më i zëshmi për rritjen e të hyrave dhe një deputet na thoshte çka nuk ka ndodhur më 20 vitet e fundit ka ndodhur më 2021 me rritjen e jashtëzakonshme të të hyrave. Ne si LDK nuk e mbështesim këtë marrëveshje”, është shprehur Hoti.
Ndërkohë, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të marrëveshjes me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, ka thënë se vlera totale e marrëveshjes kap shumën prej 47 milionë eurove dhe se kjo do t’i mundësojë Qeverisë që ta përmirësojë efikasitetin e asistencës sociale.
Sipas tij, përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejtpërdrejtë te familjet në nevojë si dhe avancimin e sistemeve të integruara sociale në mënyrë që në të ardhmen të ofrohet mundësi që të zgjerohet baza e asistencës sociale në përputhje me nevojat e qytetarëve.
“Me qëllim të përmirësimit dhe targetimit të politikave për skemat sociale të familjeve në nevojë, ne si MF kemi nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare. Vlera totale pritet ta kap shumën prej 47 milionë euro dhe do t’i mundësojë Qeverisë që ta përmirësojë efikasitetin e asistencës sociale. Përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejtpërdrejtë te familjet në nevojë si dhe avancimin e sistemeve të integruara sociale në mënyrë që në të ardhmen të ofrohet mundësi që të zgjerohet baza e asistencës sociale në përputhje me nevojat e qytetarëve”, ka thënë Murati gjatë seancës parlamentare sot. /Buletini Ekonomik/